Zyrtarë të Pentagonit u kanë kërkuar javët e fundit disa vendeve anëtare të NATO-s të zbusin retorikën e tyre lidhur me kërcënimin që paraqet Rusia, duke argumentuar se disa deklarata të liderëve dhe zyrtarëve evropianë kanë cenuar sigurinë e kontinentit. Këtë e bëjnë të ditur katër persona në dijeni të çështjes.
Mes vendeve që kanë marrë mesazhe për të treguar më shumë kujdes në deklaratat publike janë Lituania, Letonia dhe Estonia, thanë burimet, raporton “Reuters”, përcjell A2CNN. Nuk dihet nëse këto mesazhe, të përcjella gjatë takimeve dypalëshe, u janë komunikuar edhe qeverive të tjera evropiane.
Kërkesat amerikane vijnë në një kohë kur administrata Trump ka rifilluar përpjekjet për të nxitur një zgjidhje të negociuar për përfundimin e luftës në shkallë të plotë në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të pestë. Nisma e fundit kombinon ofrimin e stimujve për Rusinë, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, me presionin ndaj Ukrainës për të ndalur sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
I pyetur për koment, një zyrtar i Pentagonit deklaroi: “Bisedat private mes aleatëve janë pikërisht të tilla, private, ndaj nuk do të komentojmë këto pretendime.”
Sipas njërit prej burimeve, ndër deklaratat që kanë tërhequr vëmendjen e zyrtarëve amerikanë janë edhe sugjerimet e disa liderëve evropianë se Rusia është vënë në qoshe dhe po përdor masa gjithnjë e më të dëshpëruara, ndërsa përparimi i pushtimit të Ukrainës është ngadalësuar ndjeshëm.
Sipas burimeve, një nga zyrtarët amerikanë që përcolli këtë mesazh ishte Elbridge Colby, drejtuesi i politikave në Pentagon dhe një nga figurat kryesore në procesin e rishikimit të pranisë së trupave amerikane në Evropë. Reuters nuk arriti të përcaktonte se cilët zyrtarë të tjerë amerikanë ishin të përfshirë.
Asnjë prej personave të kontaktuar, mes të cilëve tre zyrtarë evropianë dhe një zyrtar amerikan, nuk sugjeroi se këshillat ishin përcjellë në mënyrë konfrontuese.
