Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, priti në një takim ambasadoren e re të Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, me të cilën diskutoi mbi progresin e institucionit, forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e drejtësisë.
Gjatë takimit, ambasadorja Monster vlerësoi ecurinë pozitive të Gjykatës së Lartë dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj institucionit. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Gjykatën e Lartë të Holandës, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
Nga ana e tij, kryetari Sokol Sadushi nënvizoi se, pavarësisht sfidave, Gjykata e Lartë po vijon përpara me hapa të sigurt dhe me përmirësime të qëndrueshme. Ai vuri theksin te rëndësia e ruajtjes së rezultateve të arritura, veçanërisht në uljen e stokut të çështjeve të prapambetura.
“Vijimi i këtij progresi është thelbësor për të ardhmen e Gjykatës së Lartë dhe për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve”, u shpreh Sadushi.
Takimi riafirmoi rëndësinë e partneritetit dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Shqipërisë dhe Holandës, në mbështetje të zhvillimit institucional të Gjykatës së Lartë dhe konsolidimit të institucioneve të drejtësisë.
Burimi: Kronika