AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Rihapja e hetimeve penale duhet të shoqërohet me garanci maksimale

by Alb Times
11/11/2026
in Opinion
6
0
Rihapja e hetimeve penale duhet të shoqërohet me garanci maksimale

Foto: Opinion

6
SHARES
307
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Ilir Beqaj

Projekt-ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, të paraqitura për konsultim publik, i cili është mbyllur ne 28 tetor 2026, përfshijnë një ndërhyrje të rëndësishme në nenin 329/c, që rregullon revokimin e vendimit të pushimit të akuzës ose çështjes.

Çështja nuk është vetëm nëse shteti duhet të ketë mundësi të rifillojë hetimet kur dalin prova të reja. Kjo mundësi ekziston dhe mund të jetë e përligjur.

Pyetja është kush vendos, mbi çfarë baze dhe çfarë pasoje ka moszbatimi i përcaktimeve ligjore.

Sipas meje, duke pranuar qe nuk jam jurist, garancia themelore që mungon si në tekstin aktual, ashtu edhe në projektligj, është parashikimi i shprehur i pavlefshmërisë absolute kur hetimet rifillojnë pa një vendim të vlefshëm revokimi.

Kjo mangësi bëhet veçanërisht shqetësuese kur propozohen njëkohësisht revokimi nga vetë prokurori dhe përfshirja e teknikave të reja hetimore si shkak për revokim.

  1. Çfarë parashikon dispozita aktuale?

Sipas nenit 329/c në fuqi, kur pas vendimit të pushimit dalin ose zbulohen të dhëna apo prova të reja që tregojnë se vendimi nuk është i bazuar, revokimi vendoset nga gjyqtari i seancës paraprake, me kërkesë të prokurorit, viktimës ose trashëgimtarëve të saj. Kërkesa duhet të shoqërohet me provat e reja, me pasojë mospranimi. Nëse gjykata e pranon kërkesën, revokon vendimin e pushimit dhe i kthen aktet prokurorit për rifillimin e hetimeve.

Logjika është e kuptueshme. Revokimi nuk mund të mbështetet vetëm në ndryshimin e mendimit të organit të akuzës mbi të njëjtat materiale. Duhet të ketë elemente të reja dhe një kontroll gjyqësor mbi rëndësinë e tyre. Vendimi i pushimit nuk është gjithmonë i parevokueshëm, por as një akt që prokuroria mund ta zhbëjë sipas dëshirës.

  1. Dy ndryshime që duhen lexuar së bashku

Projektligji propozon që revokimi të mbështetet në “të dhëna apo prova të reja ose teknika hetimore të reja”, të cilat krijojnë “një parashikim të arsyeshëm për dënim”. Gjithashtu, parashikon që revokimin ta bëjë vetë prokurori kur vendimi i pushimit është marrë prej tij dhe nuk i është nënshtruar ankimit. Në rastet e tjera vendos gjyqtari i seancës paraprake.

Ndryshimi i parë zgjeron bazën e revokimit.

I dyti heq, për një kategori vendimesh, filtrin gjyqësor paraprak.

Të dy së bashku mund të krijojnë një hapësirë të konsiderueshme për vlerësime të njëanshme. Fakti që projektligji kërkon një parashikim të arsyeshëm për dënim është një kufizim real, por nuk sqaron si duhet provuar ai, sidomos kur pretendohet vetëm ekzistenca e një teknike të re.

  1. Vendimet e pushimit të marra përpara reformës së vitit 2017

Reforma e miratuar me ligjin nr. 35/2017, që hyri në fuqi më 1 gusht 2017, ndryshoi kompetencën për pushimin e çështjeve për krime. Përpara saj prokurori mund të vendoste vetë pushimin. Pas saj, si rregull, ai i kërkon gjyqtarit të seancës paraprake të vendosë. Prandaj vendimet e pushimit për krime të marra nga prokurori sipas regjimit të vjetër do të jenë, në vitin 2027, afërsisht dhjetë ose më shumë vite të vjetra.

Projektligji nuk përjashton shprehimisht këto vendime nga kompetenca e re e revokimit dhe nuk vendos afat maksimal të posaçëm. Për më tepër, përdor si kusht faktin që vendimi nuk është ankimuar. Por ankimi ka afat ligjor. Pasi vendimi është njoftuar rregullisht dhe afati ka kaluar, krijohet një gjendje procedurale e konsoliduar. Mungesa e ankimit nuk duhet të shndërrohet, pa garanci të tjera, në autorizim për revokim të njëanshëm pas një dekade.

Kjo nuk do të thotë se çdo revokim i një vendimi të vjetër është automatikisht i ndaluar. Zbatimi në kohë i ligjit procedural, parashkrimi dhe pengesat e tjera kërkojnë vlerësim më vete. Por është e papranueshme që ligjvënësi të lërë të paqartë një çështje me pasoja kaq të rëndësishme për sigurinë juridike.

  1. Teknika e re nuk është provë e re

Një teknikë hetimore është mënyrë për të kërkuar, mbledhur ose analizuar prova, por nuk është domosdoshmërisht vetë provë.

Kush mund te jete nje teknike e re hetimi? Inteligjenca artificiale per shmebull? Apo Face recognition? Një metodë e re e analizës digjitale mund të prodhojë një rezultat të ri konkret. Në kete rast rezultati mund të vlerësohet për revokimin. Por kur metoda ende nuk është përdorur, ekziston vetëm mundësia që ajo të zbulojë diçka në të ardhmen.

Mundësia për të zbuluar prova nuk është e njëjta gjë me ekzistencën e provave të reja. Nëse revokimi lejohet vetëm mbi shpresën se një teknikë do të prodhojë prova, përmbyset rendi logjik. Nuk rihapen hetimet sepse ka dalë një element i ri, por rihapen për të kërkuar elementin që duhet të perligje rihapjen.

Projektligji nuk sqaron as çfarë do të thotë “teknikë e re”.

E krijuar pas vendimit te pushimit, e bërë e disponueshme më vonë, apo thjesht e papërdorur nga prokuroria gjatë hetimit të mëparshëm?

Çdo çështje e pushuar para 2 apo 3 vjetesh, mund te hapet nese hetimet duan te zbatojne edhe perodrimin e Inteligjences Artificiale. Po i hapim rrugen rihapjes se hetimeve “en bloc” per ceshtje te pushuara.

Por një teknikë ekzistuese, që nuk u përdor në kohën e duhur, nuk duhet të kthehet automatikisht në arsye për të korrigjuar mangësitë e një hetimi të mbyllur. Kur këtë vlerësim e bën vetë prokurori, pa gjykatën, rreziku i arbitraritetit shtohet.

  1. Pse rihapja kërkon garanci të posaçme?

Revokimi nuk është veprim i zakonshëm administrativ. Ai mundëson rifillimin e hetimeve, marrjen në pyetje, përpunimin e të dhënave personale dhe, nëse plotësohen kushtet e veçanta, kontrolle, sekuestrime ose kërkesa për masa sigurimi. Çdo veprim ka rregullat e veta, por vendimi i revokimit është baza procedurale që mundëson rifillimin.

Me kalimin e viteve dobësohet edhe aftësia e individit për t’u mbrojtur: dokumentet humbasin, kujtesa e dëshmitarëve zbehet dhe ngjarjet bëhen më të vështira për t’u rindërtuar. Prandaj, kontrolli i pavarur mbi revokimin është mbrojtje e sigurisë juridike dhe e procesit të rregullt, jo pengesë për drejtësinë. Për më tepër në rastin e te “ashtuquajtuarave” teknika te reja kontrolli gjyqesor eshte I domosdoshem sipas meje. Neni 208/a i KPrP eshte aty prej 18 vitesh, por jurispridenca e GJL dhe GJK e viteve te fundit kane konstataur mosrespektim nga organi procedues.

Kontrolli gjyqësor duhet të garantojë që revokimi të mos mbështetet në një mundësi abstrakte, në një pritshmëri teknologjike apo në synimin për të korrigjuar mangësitë e hetimit të mëparshëm. Ai duhet të mbështetet në kushte ligjore të qarta, të verifikueshme dhe të arsyetuara.

Përndryshe, vendimi i pushimit humbet funksionin e tij si garanci e sigurisë juridike dhe shndërrohet në një vendim përkohësisht të vlefshëm, që mund të vihet në diskutim sa herë organi procedues vendos të përdorë një metodë tjetër hetimi.

Një çështje tjetër që meriton rregullim të shprehur ligjor është edhe momenti procedural në të cilin duhet të ushtrohet kontrolli gjyqësor mbi ligjshmërinë e rifillimit të ndjekjes penale. Kur për një fakt penal ekziston një vendim pushimi i formës së prerë dhe ngrihet pretendimi se ndjekja penale ka rifilluar pa respektuar kushtet e nenit 329/c, a mund të shtyhet shqyrtimi i këtij pretendimi deri në gjykimin e themelit, me arsyetimin se një vendimmarrje e hershme?  Sipas meje, duhet dalluar qartë kontrolli i ligjshmërisë së procedimit nga vlerësimi i bazueshmërisë së akuzës. Verifikimi nëse ekziston një vendim pushimi për të njëjtin fakt penal dhe nëse ai është revokuar sipas procedurës së parashikuar nga ligji nuk kërkon domosdoshmërisht vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë. Ai ka për objekt një kusht juridik që i paraprin vetë rifillimit të ndjekjes penale. Për këtë arsye, ligji duhet të përcaktojë shprehimisht mundësinë dhe procedurën e shqyrtimit në kohën e duhur të këtij kundërshtimi, pa e kushtëzuar domosdoshmërisht me përfundimin e gjykimit të themelit. Kontrolli gjyqësor nuk është efektiv vetëm sepse ekziston mundësia që ai të ushtrohet ne një moment te caktuar. Efektiviteti i tij varet edhe nga momenti kur ushtrohet dhe nga aftësia për të parandaluar pasojat e një ndjekjeje penale të rifilluar në kundërshtim me ligjin.

  1. Pavlefshmëria absolute: garancia që mungon

As formulimi aktual dhe as ai i propozuar i nenit 329/c nuk parashikojnë shprehimisht pavlefshmërinë absolute të revokimit të paligjshëm. Kjo ka rëndësi të veçantë në një sistem ku neni 128 i Kodit mbështetet në taksativitetin e pavlefshmërive: pavlefshmëria kërkon bazë ligjore. Mund të ekzistojnë mjete të tjera kundërshtimi ose shkaqe pavlefshmërie në dispozitat e përgjithshme, por ato nuk e zëvendësojnë nevojën për një rregull të qartë në këtë nen.

Duhet dalluar mungesa e vendimit të revokimit nga ekzistenca e një vendimi të marrë në shkelje të kushteve thelbësore. Në rastin e parë, hetimet rifillojnë pa aktin që duhet t’i hapë ligjërisht. Në të dytin, akti ekziston, por është juridikisht i cenuar. Në të dy rastet duhet të garantohet kontroll efektiv gjyqësor dhe një pasojë e qartë për veprimet e paligjshme.

Në të njëjtin projektligj, për nenin 332/d propozohet një pikë 5: “Shkelja e parashikimeve të këtij neni sjell pavlefshmërinë e aktit, të konstatueshme edhe kryesisht.” Nëse një garanci e tillë propozohet për ndryshimin e akuzës në një procedim në zhvillim, përse të mos parashikohet edhe për zhbërjen e pushimit dhe rifillimin e hetimeve? Për këtë të fundit nevoja është të paktën po aq e fortë.

Pavlefshmëria duhet të jetë e konstatueshme edhe kryesisht, sepse personi mund të mos njoftohet menjëherë për revokimin. Një e drejtë ankimi e papërcaktuar, ose që mund të ushtrohet vetëm pasi janë kryer veprime hetimore, nuk është gjithmonë garanci e mjaftueshme. Ligji duhet të sqarojë kush e shqyrton kundërshtimin, kur njoftohet personi i prekur dhe çfarë efekti ka konstatimi i shkeljes mbi vazhdimin e procedimit. Sipas rregullave mbi varësinë ndërmjet akteve, ajo mund të shtrihet edhe te veprimet e mëpasshme që varen juridikisht nga revokimi i pavlefshëm; kjo lidhje duhet vlerësuar konkretisht, jo të supozohet për çdo akt.

  1. Çfarë duhet të ndryshojë?

Së pari, për vendimet e pushimit të çështjeve për krime, sidomos ato të marra përpara reformës së vitit 2017, duhet të ruhet kontrolli gjyqësor paraprak. Së dyti, ligji duhet të përcaktojë se teknikat e reja nuk justifikojnë revokimin pa një lidhje konkrete provuese që plotëson standardin e kërkuar. Së treti, duhet të përcaktohen qartë njoftimi, kundërshtimi gjyqësor dhe pasojat e shkeljes.

Propozoj që nenit 329/c t’i shtohet një pikë e re: “Revokimi i vendimit të pushimit në kundërshtim me kushtet thelbësore dhe procedurën e parashikuar në këtë nen sjell pavlefshmërinë absolute të vendimit të revokimit, e cila konstatohet edhe kryesisht nga gjykata. Pavlefshmëria shtrihet mbi aktet procedurale të mëpasshme që varen juridikisht nga vendimi i pavlefshëm, sipas rregullave të këtij Kodi.” Ky formulim kërkon harmonizim me dispozitat e përgjithshme mbi pavlefshmëritë.

Përfundim

Revokimi i ligjshëm duhet të mbetet i mundur kur dalin elemente vërtet të reja që justifikojnë rifillimin e hetimeve. Por një kompetencë e tillë nuk mund të mbështetet në pritshmëri të paprovuara, të ushtrohet pa kontrollin e duhur ose të mbetet pa sanksion kur shkelen kushtet themelore.

Kontrolli gjyqësor synon të parandalojë rihapjen e paligjshme, ndersa pavlefshmëria absolute synon të garantojë pasojën kur shkelja ka ndodhur. Këto janë dy mbrojtje plotësuese. Përndryshe, një person mund të mbetet për vite në pasiguri për një vendim pushimi dhe të gjendet sërish nën hetim, pa një kontroll të pavarur paraprak dhe pa një përgjigje të qartë për ligjshmërinë e rifillimit.

Një reformë që synon efikasitetin e ndjekjes penale duhet të sigurojë njëkohësisht mbrojtje të matshme dhe të zbatueshme për individin.

Një shtet i së drejtës nuk matet vetëm nga aftësia për të hetuar dhe ndëshkuar. Ai matet edhe nga aftësia për të respektuar kufijtë që ligji i vendos pushtetit të tij.

Sepse siguria juridike nuk është pengesë për drejtësinë. Siguria juridike është një nga kushtet që e bën drejtësinë të ligjshme.

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Një javë pasi doli nga burgu, 19-vjeçari grabit dy herë arkën e një objekti kulti, arrestohet nga policia

11/11/2026

Apeli dënon me 7 vite e 4 muaj burg ish-kreun e Operacionales. Konfiskohen apartamente dhe 1.3 milionë euro

11/11/2026

Mbështeti protestat në Shqipëri, Egjipti shpall terroriste organizatën e drejtuar nga një zyrtar i VLEN në Çair

11/11/2026

Pranoi vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, zbulohet identiteti i vërtetë i shqiptarit të kapur në Greqi

11/11/2026

Sahara/ Mbështetje e gjerë në OKB-së për planin e Autonomisë Marokene pas vetos ruse!

11/11/2026

Dosja “Partizani” është thjesht alibi në emër të pandëshkueshmërisë

11/11/2026

Lufta hibride/ “Kemi për t’ju shfarosur”- Alarme për bombë, mbyllen 300 shkolla në Itali! Lëndë plasëse edhe në makinën e Melonit

11/11/2026

Paketa e Maleve, Demo nga Elbasani: Brenda nëntorit zgjerohen zonat prioritare në Gjinar! Janë miratuar 400 zona prioritare në 52 bashki

11/11/2026

Falsifikonin dokumente të BE-së, arrestohen 2 bashkëmoshatarët në Tiranë! U sekuestrohen materiale, 1700 euro dhe…

11/11/2026

Reforma Zgjedhore, Bardhi: Nuk e kemi bojkotuar Komisionin, mazhoranca po përpiqet të devijojë punën!

11/11/2026

Ambasadorja e BE-së takohet me Shabanin: Integrimi evropian kërkon një Avokat të Popullit më të fortë, mbështetje dhe fuqizim!

11/11/2026

“Ne i kemi të qarta rekomandimet e BE”- Balla ironizon Berishën: Ka marrë formën e ‘studentit 80-vjeçar’, PD në bojkot deri sa të vijë ‘gjeli dhe bakllavaja’!

11/11/2026

‘Albanian Files’/ Spaho: Ramës s’i vjen fundi nga një libër që e botoi vetë! Opozita e pafuqishme si dembelët e Stambollit, shpreson ta rrëzojë me…

11/11/2026

Shpërthimi në Elbasan, Llatja për ABC News: Ja sa do të përfitojnë banorët e pallatit nga bonusi i qirasë (VIDEO)

11/11/2026

“Të depolitizojmë pjesërisht komisionet”- Balla tregon 4 pikat e Reformës Zgjedhore: Të hedhim një hap, opozitën e ftoj që…

11/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Një javë pasi doli nga burgu, 19-vjeçari grabit dy herë arkën e një objekti kulti, arrestohet nga policia
  • Apeli dënon me 7 vite e 4 muaj burg ish-kreun e Operacionales. Konfiskohen apartamente dhe 1.3 milionë euro

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.