Kreu i PD-së Sali Berisha, në konferencën për mediet sot në 24 shkurt tha se kryeministri Edi Rama është kreu i korrupsionit në Shqipëri.
Berisha kërkoi që Rama të japë dorëheqjen, duke shtuar se ai do të ketë fundin e kultit të Enver Hoxhës. Sipas tij, Ramën nuk do e heqë nga pushteti as drejtësia, as komuniteti ndërkombëtar, por vetëm populli shqiptar.
Rama është implikuar kokë e këmbë me ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, me kompani ruse. Dosja më e pashembullt është AKSHI, ku është implikuar sigurisht edhe Rama. Edi Rama duhet të japë urgjentisht dorëheqjen. Revolta ndaj tij po arrin nivelet e urrejtjes ndaj kultit të Enver Hoxhës, që do të thotë se po bëhet e papërmbajtshme. Kjo do të thotë se do të ketë fatin e kultit të tij, prandaj jep dorëheqjen. Rama është kryehajduti dhe kreu i organizatës kriminale. Ramën nuk e heq drejtësia, as komuniteti ndërkombëtar, por atë do e shembin shqiptarët”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se Rama është i gatshëm t’ja mbyllë Shqipërisë rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.
“Kudo që shkon, Rama shkon si një langaraq i pashoq. Ai tashmë është një njeri i dalë boje. Për karrigen e tij, është i gatshëm që të sakrifikojë edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama, ai që shau Trumpin, shkoi në Bordin e Paqes dhe mbajti fjalim me neveri dhe asgjë tjetër. Është damkosur si langaraqi i komunitetit ndërkombëtar”, u shpreh ai.











