Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në Fier ishte një nga pikat e diskutimit në “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
Për analistin Dritan Hila, kjo lëvizje është për të ardhur keq, duke shtuar se në këtë rast duhej të ishte dhënë një shpjegim.
Ndërkohë, për analistin Andi Tela, gjithçka që ka ndodhur në 24 orët e fundit, duke parë të gjitha reagimet, bën që ngjarja të mbetet ende mister.
Pjesë nga biseda:
Hila: Unë nuk dua t’i hyj kësaj skeme që ka dhënë urdhër Rama për ta çuar aty Veliajn, edhe mund të jetë e vërtetë. Në një kohë që Tirana zien, atij i paska mbetur në mendje pse ka folur Veliaj nga burgu për protestat në Serbi. Për atë punë ka Elisën.
Bushati: I turrën të gjithë tatimorët e këtij vendi burrit, kunatit të Elisës.
Hila: Nuk jam aty ta di këtë. Ajo që kam unë është keqardhje, edhe pse nuk hyj te njerëzit që kam pasur simpati. Kam shkruar që ditën e parë që doli me biçikletë. Por ka një masë ku tjetri mund të masakrohet. E kanë lënë në një pozicion ku, prej dy vjetësh, po merren me budallallëqe. Mund ta hetoje për shumë gjëra, për një Tiranë që po bëhet asfiksuese nga urbanizimi i saj. Unë besoj te ai qejfi i xhelatëve, të cilët, sapo marrin vesh që ky nuk e ka mirë me shefin, çohen në majë të gishtave për ta palosur mirë.
Lala: Nuk është ky rasti. Iku një drejtor tjetër para kësaj zonjës që ka ardhur. Është thjesht një urdhër. Unë kam qenë një nga kritiket më të forta të Veliajt dhe kam thënë se duhet të qëndrojë më gjatë në paraburgim, por ky transferim është përtej Veliajt, është dora e Edi Ramës. U shkarkua një drejtor që ishte njeri i Veliajt dhe sollën një drejtoreshë që, edhe pse firmosi dorëheqjen, firmosi edhe transferimin e Veliajt.
Hila: Unë nuk i di emrat e drejtorëve të Burgjeve.
Lala: Po bëni analizën.
Hila: Unë i bëj analizat nisur nga faktet, jo nga emrat. Nga drejtorët e Burgjeve njoh vetëm njërin që tha se Salianji ka të drejtë të mbajë flokët.
