Debati për ndryshimet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale ka rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjen institucionale mes qeverisë dhe organeve të drejtësisë. I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, avokati Gentian Rumano deklaroi se kryeministri Edi Rama synon që kërkesat e Prokurorisë së Posaçme të mos i drejtohen më drejtpërdrejt gjykatës, por të kalojnë përmes Kuvendit.
Sipas Rumanos, me ndryshimin e nenit 242, SPAK nuk do të ketë më mundësi t’i drejtohet Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për masa pezullimi, pasi kjo kompetencë do të konsiderohet si atribut i qeverisë dhe jo i gjyqtarit paraprak. Ai paralajmëroi se çështja pritet të përfundojë sërish në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi disa palë parlamentare kanë shprehur qëndrimin për ta kundërshtuar ndryshimin.
“Rama kërkon domosdoshmëri që të kanalizojë kërkesat e Prokurorisë vetëm Kuvendit. Duke bërë ndryshimin e nenit 242, Prokuroria nuk mundet që të kërkojë pezullimin, nuk ka më pezullim. Do të hapet një çështje e re në Gjykatën Kushtetuese, janë disa palë të tjera në Kuvend që do e kundërshtojnë. Ajo që unë lexoj është që Rama i thotë Prokurorisë së Posaçme, që nëse ke një masë sigurimi do e sjell te unë, nuk do e çosh direkt në Gjykatë. Pezullimin thotë është kompetencë e qeverisë, jo e gjyqtarit paraprak. Kuvendi i Shqipërisë kështu do të bëhet si një Gjykatë, kur krahas Gjykatës së Posaçme do të shqyrtojë kërkesat e pezullimit apo edhe të shkarkimit. Çdo formë që mund të kërkojë Prokuroria e Posaçme është heqja e imunitetit”, tha avokati Rumano.
Në të njëjtin debat, analisti Arben Meçe e cilësoi situatën si një konflikt në nivel kushtetues, duke theksuar se problemi nuk lidhet me procedurën penale, por me interpretimin e kompetencave mes institucioneve. Sipas tij, përplasja duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare në planin kushtetues, ndërsa vuri në dukje se raste të tilla pezullimi nuk kanë pasur precedent në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Po ndërhyhet në një formë Kushtetuese. Është gjëja më e domosdoshme që konflikti duhet të zgjidhet. Gjykata Kushtetuese nuk ka dha zgjidhje, e evidentoi, po nuk dha zgjidhje. Jemi në nivelet e debatit kushtetuese, jo të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale. Nuk kemi një çështje në Gjykatën Europaine të të Drejtave të Njeriut, një çështje e tillë pezullimi. Ja që ndodhi tek ne dhe ky konflikt duhet të zgjidhet. Nuk është një ndërhyrje në çështjen e procedurës penale”, u shpreh analisti Meçe.











