Ish-ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, e cilësoi 17 Shkurtin si një datë me peshë të veçantë historike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, Minxhozi tha se kjo ditë simbolizon frytet e një përpjekjeje të gjatë dhe të pandërprerë për liri, që u kurorëzua me themelimin e shtetit të Kosovës 18 vite më parë.
Ai theksoi se pavarësia e Kosovës erdhi falë përpjekjeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetjes së forcave aleate dhe rolit të faktorit ndërkombëtar.
Duke komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Minxhozi e quajti atë një proces “kryekëput farsë”.
Sipas Minxhozit, procesi fillimisht u ndërtua mbi pretendime për trafikim organesh, por këto akuza, sipas tij, ranë poshtë që në fazat e para.
I pyetur nëse ngritja e Gjykatës Speciale ishte një gabim, Minxhozi tha se tashmë është koha për reflektim. Ai shtoi se, sipas tij, qëllimi fillestar për të cilin u ngrit kjo gjykatë ra menjëherë dhe se procedurat duhej të ishin përshpejtuar.
INTERVISTA E PLOTË:
Ju keni qenë ambasador për 10 vjet (2014-2023) dhe jeni qytetar nderi i Prishtinës, Rahovecit dhe Gjilanit. Çfarë mund të thoni, cili është opinioni i ish-ambasadorit për Kosovën në këtë 18 vjetor?
Minxhozi: Kjo është një ditë shumë historike, jo vetëm për popullin e Kosovës, por për të gjitha trevat shqiptare kudo në botë. Kosova sot gëzon frytet e një lufte të parreshtur ndër vite e dekada, e cila u kurorëzua me sukses të plotë, për të cilin jemi të gjithë krenarë. Është një ditë simbolike, një ditë që shënon një epokë të re zhvillimi të shtetit më të ri të botës. Kosova u themelua pikërisht para 18 viteve, falë përpjekjeve të UÇK-së, forcave aleate dhe faktorit ndërkombëtar për të arritur këtë sukses. Është një ditë që ngjall shumë emocione për çdo shqiptar kudo në botë.
Një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë ngjarje të madhe për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar kanë dhënë ish-komandantët e UÇK-së, një pjesë e të cilëve, fatkeqësisht, ndodhen të burgosur në Hagë. Nesër pritet të zhvillohet seanca e fundit e këtij gjyqi. Çfarë mendoni se do të shënonte ky proces në lidhje me luftën e UÇK-së?
Minxhozi: Unë mendoj se kemi të bëjmë me një proces, po e quaj në thonjëza, “kryekëput farsë”. Është një rast unikal që katër figura shumë të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbahen për pesë vjet pa u nxjerrë në gjyq. Ende nuk ka rezultate të duhura për t’i shpallur të pafajshme këto katër figura legjendare të luftës për liri e pavarësi. Mendoj se edhe opinioni ndërkombëtar është sensibilizuar nga ky proces i deritanishëm. Filloi si një proces që kishte të bënte me pretendimet për trafikim organesh nga segmente të caktuara të ushtrisë. Në vitin 2021 doli akuza e parë për katër luftëtarët, e cila ra poshtë që në dy muajt e parë. Kjo gjykatë nuk e arriti qëllimin e saj për të dhënë drejtësi, por jemi në një situatë të turpshme ku po kërkohet dënimi i tyre.
Zoti ambasador, shumë kush sot mendon se ngritja e Gjykatës Speciale ishte një gabim që bëri Kosova. Ju si mendoni?
Minxhozi: Tani është koha të reflektojmë për atë që është bërë. Presioni i asaj kohe ka qenë shumë i madh, por natyrisht, po të mendonim se fundi do të ishte ky që shohim sot, do të thonim se ishte një vendim i gabuar. Faktori ndërkombëtar ushtroi presion në atë kohë, por unë do të thosha se me faktet që dolën më vonë, ky proces duhej pezulluar. Pse? Sepse nuk kishim të bënim me trafik organesh. Qëllimi për të cilin u ngrit kjo gjykatë ra menjëherë dhe gjykata duhej të bënte një kthim prapa për të përshpejtuar procedurat.










