Autoritetet në shtetin amerikan të New Mexico kanë rihapur hetimet për aktivitetet e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein në pronën e tij të njohur si Zorro Ranch, pothuajse shtatë vjet pas arrestimit të tij për trafikim seksual të të miturve. Prokurorët federalë në Neë York kishin deklaruar në vitin 2019 se Epstein kishte abuzuar me dhjetëra vajza të mitura në disa vende, përfshirë Manhattanin, Palm Beach dhe pronën e tij në Neë Mexico.
Zorro Ranch i Epstein u përmend shpesh në procedurat penale dhe civile pas vdekjes së tij në burg më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin. Një hetim i fundit ka ngritur dyshime se autoritetet federale nuk e kanë kontrolluar kurrë fizikisht këtë pronë. Publikimi i rreth tre milionë dokumenteve hetimore sipas ligjit të transparencës për dosjet Epstein ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj prone.

Prokurori i përgjithshëm i New Mexico-s njoftoi se shteti do të rihapë hetimin e vitit 2019, i cili ishte pezulluar me kërkesë të prokurorëve federalë. Ndërkohë, ligjvënësit e shtetit kanë krijuar edhe një “komision të së vërtetës” për të hetuar aktivitetet e kaluara në Ranch.
Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se hetimi pas kaq shumë vitesh paraqet sfida serioze. Sipas ish-prokurorit John Day, për të marrë një urdhër kontrolli nevojiten prova të reja dhe jo informacion i vjetruar. Për më tepër, prona tashmë ka ndryshuar pronar, çka e bën edhe më të vështirë gjetjen e provave fizike.
Autoritetet pritet të fokusohen më shumë te dëshmitë njerëzore, duke kërkuar ish-punonjës, kontraktorë dhe banorë lokalë që mund të kenë pasur lidhje me pronën. Në dokumentet e reja përfshihet edhe një raport i FBI-së për një email anonim që pretendonte se dy vajza të reja ishin varrosur në Zorro Ranch, informacion që u raportua tek autoritetet në vitin 2019.










