Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar në Shqipëri në kuadër të operacionit “The Wanted”.
Policia e Shtetit bën me dije se, në vijim të bashkëpunimit me homologët gjermanë, specialistët e Interpol Tiranës kanë kryer ekstradimin nga Frankfurti drejt Shqipërisë të një 29-vjeçari me inicialet A. Gj., lindur dhe banues në Mat.
Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në maj të vitit 2024, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
29-vjeçari dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në formën e bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Arrestimi i tij në Gjermani u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, ndërsa më pas u realizua ekstradimi drejt vendit tonë.
Operacioni “The Wanted” vijon në kuadër të përpjekjeve për lokalizimin dhe kthimin në Shqipëri të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
