AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Po shpluhuroset Skavica?

by Alb Times
24/11/2026
in Opinion
6
0
Huliganët e protestës nuk bëhen dot studentë!

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Skavica nuk është thjesht një hidrocentral që Shqipërisë i mungon. Ajo është çelësi për ta kthyer kaskadën e Drinit, nga një sistem i fuqishëm prodhimi energjie, në një sistem shumë më të integruar, fleksibël dhe me prodhim të rritur me 25 për qind.

Nga Fatos Çoçoli

Më 19 nëntor 2026, në Varshavë, gjatë Ministerialit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik, të organizuar së bashku me Departamentin e Energjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministri ynë i Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Energjisë një marrëveshje për vijimin e projektit të Skavicës.

Objektivi i marrëveshjes është përmbyllja e të gjitha studimeve të nevojshme për ta bërë projektin e Skavicës të financueshëm. Ky është një zhvillim me rëndësi, sepse një nga pengesat kryesore të projekteve të kësaj përmase ka qenë mundësia për t’i shndërruar ato në projekte teknikisht të qëndrueshme, ekonomikisht të leverdishme dhe financiarisht të realizueshme.

Pse hidrocentrali i Skavicës është kaq i rëndësishëm për ekonominë tonë?

Për më shumë se tri dekada, hidrocentrali i Skavicës ka qenë një nga projektet më të rëndësishme, por njëkohësisht edhe më të vonuara, të infrastrukturës energjetike shqiptare.

Për të kuptuar rëndësinë e këtij investimi, duhet parë fillimisht pozicioni i tij në hartën energjetike të Shqipërisë. Lumi Drin përfaqëson boshtin kryesor të prodhimit hidroenergjetik të vendit, përmes tri hidrocentraleve të mëdha: Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Këto tri vepra përbëjnë kaskadën më të rëndësishme hidroenergjetike shqiptare dhe sigurojnë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit vendas të energjisë elektrike.

Por kjo kaskadë ka një veçori: Skavica, e planifikuar në pjesën e sipërme të Drinit, do të ishte hallka e katërt dhe përmbyllëse e saj. Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat më të mëdha strategjike të projektit.

Skavica nuk duhet parë thjesht si ndërtimi i një hidrocentrali tjetër, që do t’i shtonte Shqipërisë kapacitete të reja prodhuese. Ajo duhet parë si një investim që do të përmirësojë funksionimin e të gjithë sistemit hidroenergjetik të Drinit.

Me krijimin e rezervuarit të Skavicës, mundësohet një administrim më i mirë i prurjeve ujore, duke ndikuar në mënyrën se si uji shfrytëzohet nga të tri hidrocentralet e tjera të kaskadës. Kjo do të thotë më shumë mundësi për të kontrolluar dhe planifikuar përdorimin e burimeve ujore, për të optimizuar prodhimin deri në 25 përqind më shumë se prodhimi i sotëm. Pra, për të përfituar më shumë energji nga i njëjti burim natyror.

Hidrocentrali i Skavicës konsiderohet si hallka e fundit dhe përmbyllëse e kaskadës së lumit Drin. Ky projekt, nëse realizohet, ka potencialin të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si ne e prodhojmë, e administrojmë dhe e shfrytëzojmë energjinë elektrike. Edhe për këtë vit 2026, energjia elektrike përfaqëson të paktën 86 përqind të prodhimit tonë energjitik, me vlerë të sotme tërësore tregtare rreth 1.7 miliardë euro. Pas shumë vitesh diskutimesh, studimesh dhe pritjesh, Skavica duket se po merr një mundësi të re, për të dalë nga sirtarët e projekteve të parealizuara, me Marrëveshjen e Varshavës.

Në një ekonomi si e jona, ku energjia është një nga faktorët kryesorë të konkurrueshmërisë, kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë.

Më shumë siguri energjetike dhe më pak varësi nga importet

Vendi ynë ka një avantazh të jashtëzakonshëm natyror: pjesa dërrmuese e prodhimit të tij tradicional të energjisë elektrike (86 përqind) mbështetet tek hidrocentralet. Por ky avantazh shoqërohet edhe me një dobësi strukturore. Në vitet me reshje të pakta dhe prurje të ulëta ujore, prodhimi ynë hidroenergjetik bie dhe vendi detyrohemi të blejmë energji shumë të shtrenjtë në tregjet ndërkombëtare.

Kjo e ekspozon ekonominë tonë ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare dhe krijon kosto shtesë për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare(KESH).

Hidrocentrali i Skavicës ndihmon në zbutjen e kësaj problematike, sepse krijon kapacitete shtesë për rregullimin dhe administrimin e ujërave të Drinit. Rezervuari i saj do të mundësojë një shfrytëzim më të mirë të prurjeve ujore dhe një koordinim më efiçient me hidrocentralet e tjera të kaskadës.

Për ekonominë tonë, kjo përkthehet në më shumë siguri energjetike, më pak ekspozim ndaj goditjeve të tregut ndërkombëtar dhe mundësi më të mira për të kontrolluar kostot e furnizimit.

Shfrytëzim më racional i të gjithë kaskadës së Drinit

Një nga argumentet më të forta në favor të Skavicës është efekti që pritet të ketë në funksionimin e të gjithë kaskadës hidroenergjetike.

Sot, Fierza, Komani dhe Vau i Dejës përbëjnë një sistem të ndërlidhur, ku mënyra e administrimit të ujit në një hidrocentral ndikon drejtpërdrejt në mundësitë e prodhimit të hidrocentraleve të tjerë.

Skavica krijon një rezervuar shtesë në pjesën e sipërme të sistemit. Kjo mundëson rregullimin e një pjese të prurjeve që hyjnë në kaskadë dhe ndihmon në optimizimin e përdorimit të ujit në të tre hidrocentralet e tjerë.

Me fjalë të tjera, përfitojmë jo vetëm nga energjia që do të prodhonte vetë hidrocentrali i ri, por edhe nga administrimi më me leverdi i energjisë që prodhohet në tri hidrocentralet ekzistuese.

Ky është një dallim thelbësor, që e rrit prodhimin në Kaskadën e Drinit me një të katërtën nga ç’është sot.

Një aleat i rëndësishëm për energjinë diellore dhe atë të erës

Një tjetër arsye pse Skavica merr rëndësi strategjike lidhet me ndryshimin që po pëson struktura e prodhimit të energjisë tek ne.

Vitet e fundit, vendi ynë ka shtuar investimet në energjinë diellore dhe po përgatitet të zgjerojë edhe prodhimin e energjisë nga era. Këto burime janë të domosdoshme për diversifikimin e sistemit energjetik dhe për reduktimin e varësisë nga hidrocentralet.

Por energjia diellore dhe ajo e erës kanë një karakteristikë: prodhimi i tyre nuk është gjithmonë në përputhje me orët kur konsumatorët kanë më shumë nevojë për energji.

Panelet diellore prodhojnë më shumë gjatë ditës, ndërsa kërkesa për energji mund të jetë dhe është për shumë muaj të vitit më e lartë në mbrëmje. Era, nga ana tjetër, nuk fryn gjithmonë në mënyrë të parashikueshme.

Në këtë situatë, hidrocentralet me rezervuarë kanë një rol të rëndësishëm balancues. Ato rregullojnë prodhimin sipas nevojave të sistemit dhe ndihmojnë në kompensimin e luhatjeve të burimeve të rinovueshme.

Skavica, në koordinim me pjesën tjetër të kaskadës, do të kontribuojë në rritjen e fleksibilitetit të sistemit tonë energjetik. Kjo do ta bëjë më të lehtë integrimin e kapaciteteve të reja diellore dhe të erës, pa cënuar sigurinë e furnizimit.

Pra, Skavica nuk është në konkurrencë me energjinë diellore dhe atë të erës. Përkundrazi, ajo bëhet një nga mbështetjet më të rëndësishme të integrimit të tyre në sistemin kombëtar.

Së fundi, rëndësia e Skavicës nuk kufizohet vetëm tek prodhimi i energjisë elektrike. Një rezervuar i madh në pjesën e sipërme të Drinit mund të krijojë mundësi shtesë për administrimin e prurjeve ujore dhe për zbutjen e disa prej pasojave të situatave me reshje të mëdha.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për zonat përgjatë sistemit të Drinit (sidomos në zonën e MbiShkodrës), të cilat kanë përjetuar ndër vite problematika të rënda nga përmbytjet nga shkariket e hidrocentraleve.

Skavica nuk është thjesht një hidrocentral që Shqipërisë i mungon. Ajo është çelësi, për ta kthyer kaskadën e Drinit, nga një sistem i fuqishëm prodhimi hidroenergjetik në një sistem shumë më të integruar, fleksibël dhe me prodhim të shtuar në një të katërtën.

Kë do të votoni për Bashkinë e Tiranës në Zgjedhjet e 9 Majit 2027?
1310 votaKliko mbi kandidatin për të votuar.
Rezultat ilustrues. Jo kampion përfaqësues i elektoratit.
Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2
Kë do të votoni për Bashkinë e Tiranës në Zgjedhjet e 9 Majit 2027?
1310 votaKliko mbi kandidatin për të votuar.
Rezultat ilustrues. Jo kampion përfaqësues i elektoratit.

Lajmet e fundit

EMRAT/ Plagosja me thikë në Fier, policia arreston autorin e dyshuar, punonjësi i plagosur po trajtohet në spital!

24/11/2026

Kosovë/ Arrestohen 3 zyrtarë gjykatash dhe një avokat në Ferizaj e Gjakovë! Policia sekuestron telefona, kompjuterë dhe dokumente

24/11/2026

“E goditëm ne anijen pranë Finlandës!”- Zelenski mer autorësinë e sulmit, reagon Norvegjia: Kievi t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare!

24/11/2026

Po shpluhuroset Skavica?

24/11/2026

Flamingot, një manual se si mund ta fitosh një qytet pasi e ke përdhunuar

24/11/2026

Kandidatë për Tiranën prej atyre që dogjën kryeqytetin?

24/11/2026

Berisha me sytë te PS, ‘josh’ opozitën e zgjedh kandidatët nga PD

24/11/2026

Kapetanović: Turizmi rajonal ka nevojë për promovim të përbashkët!

24/11/2026

Kryetari i Kuvendit i ndërpret fjalimin Aleksandër Vuçiçit, në Parlamentin e Serbisë shpërthejnë duartrokitjet!

24/11/2026

Qytete dhe qytetarë të pambrojtur, dhunues e barbarë të mbrojtur

24/11/2026

“Nismë përtej krahëve politikë”- Projektligji për sponsorizimet, Balla: Sporti shqiptar ka nevojë për mbështetje financiare!

24/11/2026

Wadephul pret Tabakun në Berlin, diskutohen procesi i integrimit dhe marrëdhëniet mes dy vendeve!

24/11/2026

E rëndë në Fier, sherri përfundon në plagosjen me thikë të punonjësit të “Fast-Food”! Policia shpall në kërkim autorin 15-vjeçar

24/11/2026

Presidenti Begaj pret kreun e Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, në fokus integrimi dhe pesë fusha me interes të përbashkët!

24/11/2026

Nga hotelet dhe klubet e natës te minierat e kromit, më 26 nëntor vendoset fati i aseteve të Orges Jahelezit

24/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • EMRAT/ Plagosja me thikë në Fier, policia arreston autorin e dyshuar, punonjësi i plagosur po trajtohet në spital!
  • Kosovë/ Arrestohen 3 zyrtarë gjykatash dhe një avokat në Ferizaj e Gjakovë! Policia sekuestron telefona, kompjuterë dhe dokumente

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.