Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka bërë thirrje për bashkimin e operatorëve të ligjshëm të tregut në një koalicion kundër piraterisë audiovizive.
Gjatë një takimi me përfaqësuesit ligjorë të ofruesve të shërbimit të internetit, Krasniqi propozoi formalizimin e këtij bashkëpunimi përmes një memorandumi, me synim identifikimin dhe luftimin e transmetimeve të paligjshme.
Ajo theksoi se pirateria përbën konkurrencë të pandershme për kompanitë që investojnë në blerjen e të drejtave të transmetimit, prodhimin e përmbajtjeve dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ofrimin e shërbimeve audiovizive. Sipas saj, operatorët piratë përfitojnë nga investimet e kryera nga subjektet e ligjshme, duke ofruar të njëjtën përmbajtje pa autorizim dhe pa përballuar kostot përkatëse.
“Kur një familje ulet të shohë një ndeshje, një ndeshje futbolli, në ekran në fakt familja sheh vetëm lojën. Ju që jeni në këtë sallë, të gjithë e dini se çfarë është dashur që ajo ndeshje të shkojë tek ajo familje. Dikush ka investuar për prodhimin, dikush ka investuar për transmetimin, dikush ka paguar për të drejtat, dikush ka ndërtuar rrjetin dhe mban përgjegjësi për cilësinë me të cilën i shkon kjo ndeshje abonentit. Kur një operator pirat merr të njëjtin transmetim dhe e shet atë pa autorizim, ai konkurron në fakt për të njëjtin abonent, duke shmangur pikërisht kostot të cilat i mbani ju. Kjo është konkurrencë e pandershme, ju prek drejtpërdrejt dhe shumë herë kemi diskutuar për këtë. Çdo abonim që kalon te një shërbim pirat, i heq në fakt të ardhura tregut të ligjshëm. Këto janë të ardhura me të cilat blihen më pas të drejta për sezonin e ardhshëm, financohet prodhimi apo përmirësohet edhe shërbimi për publikun”, u shpreh kryetarja e AMA-s.
Krasniqi theksoi se dëmi i piraterisë nuk kufizohet vetëm te humbja e të ardhurave nga abonimet, por ndikon edhe në vendimmarrjen e kompanive për investimet e ardhshme. Ajo shpjegoi se operatorët marrin përsipër angazhime të konsiderueshme financiare përpara se të kenë siguri mbi numrin e abonentëve që do të përfitojnë shërbimin.
“Kur pirateria cenon mundësinë për t’i kthyer këto investime, ajo cenon dhe vendimin për të ribërë investime të ardhshme në sezonin e ardhshëm. Mendoni për vendimin që merrni kur blini vetë të drejta për një sezon të tërë. Angazhimi financiar i juaji, i secilit në këtë sallë, në fakt merret përpara se ta dini se sa abonentë do të keni. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për një prodhues që fillon punën për një film apo për një operator i cili shtrin, le të themi, sistemin apo rrjetin e tij në një zonë të re”, deklaroi ajo.
Më tej, Krasniqi theksoi se shërbimet pirate hyjnë në treg pasi investimet janë kryer nga operatorët e ligjshëm, duke konkurruar më pas për të ardhurat që nevojiten për të mbuluar këto investime.
“Secili nga ju merr përsipër një risk dhe e mbulon me të ardhurat që pret, pra të ardhurat e pritshme nga tregu. Shërbimi pirat hyn në këtë treg pasi ju keni marrë përsipër riskun, ju e keni bërë investimin dhe keni sjellë produktin deri tek publiku. Më pas, ai pirati konkurron për të ardhurat që ju në fakt ju duhen për të mbajtur investimin që keni bërë”, u shpreh Krasniqi.
Ajo nënvizoi se ofertat me çmime më të ulëta nga shërbimet pirate nuk pasqyrojnë kostot reale të prodhimit dhe transmetimit, pasi barra financiare përfundon te mbajtësit e të drejtave dhe operatorët e ligjshëm.
“Teksa abonentit i paraqitet një ofertë me çmim më të ulët, kostoja e asaj oferte mbetet diku tjetër. Ajo i mbetet tërësisht mbajtësit të së drejtës që humbet më pas vlerë nga liçenca e saj e vet; operatorit i cili duhet të financojë shërbimin me më pak të ardhura dhe në fund publikut, kur industria ka më pak mundësi të blejë përmbajtje”, tha kryetarja e AMA-s.
Krasniqi u bëri thirrje përfaqësuesve të ofruesve të shërbimit të internetit dhe subjekteve të ligjshme që të bashkojnë përpjekjet për të luftuar piraterinë audiovizive. Ajo theksoi se, pavarësisht konkurrencës që mund të kenë mes tyre për të njëjtët abonentë, operatorët ndajnë interesin e përbashkët për të mos lejuar që përmbajtjet për të cilat kanë paguar të shpërndahen në mënyrë të paligjshme.
“Ky është dëmi që duhet të kemi të gjithë parasysh kur vendosim se sa shpejt do të reagojmë ndaj këtij fenomeni. Disa prej jush në fakt, në zona të caktuara, konkurroni çdo ditë për të njëjtin klient, por keni një interes të përbashkët: që asnjë konkurrent i paligjshëm të mos ia shesë pikërisht atij klienti përmbajtjen për të cilën keni paguar ju”, deklaroi Krasniqi. Në këtë kuadër, ajo bëri thirrje për formalizimin e bashkëpunimit përmes një memorandumi, duke e cilësuar koalicionin si një nismë të përbashkët të AMA-s dhe operatorëve të ligjshëm të tregut.
“Mbi këtë interes ju ftoj sot të gjithë së bashku të ngremë koalicionin kundër piraterisë audiovizive. Ta formalizojmë këtë koalicion përmes një memorandumi bashkëpunimi. Ky është një koalicion i AMA-s me të gjithë subjektet e ndershëm dhe të ligjshëm të këtij tregu. Në këtë sallë janë si ata që mund ta dokumentojnë shkeljen apo ta konstatojnë, ashtu dhe ata që mund ta zbatojnë masën në rrjetin e tyre”, theksoi kryetarja e AMA-s.
