Tregu i pijeve alkoolike në Shqipëri po përballet me ndryshime që vijnë nga ulja e konsumit të vendasve, veçanërisht të rinjve, preferenca e tyre për pije joalkoolike, rritja e peshës së turistëve dhe sfida e kostove prodhuese nga rritja e akcizës. Si po përshtatet industria me këto trende për të qëndruar konkurruese?
Baret dhe klubet e natës, dikur të mbushura nga të rinjtë vendas, sot përballen me rënie të konsumit të alkoolit, ndryshim të grupmoshave që i frekuentojnë dhe varësia gjithnjë e më e madhe e konsumatorëve të huaj që vijnë në Shqipëri për turizëm.
Redi, pronar dhe banakier i “Radio-Bar Tirana” në zonën e ish-Bllokut, shprehet se brezi i ri pothuajse nuk konsumon alkool gjatë jetës së natës, por ka një prirje drejt përdorimit të drogave. Ai thekson se që pas pandemisë së Covid-19, mënyra e argëtimit dhe zakonet e konsumit të pijeve alkoolike në jetën e natës në Tiranë kanë pësuar ndryshime të ndjeshme.
Sipas tij, faktorët kryesorë të rënies së konsumit veçanërisht te moshat e reja, që janë frekuentuesit kryesorë të lokaleve të natës përfshijnë: kufizimet ligjore për heqjen e patentës në rast konsumimi të alkoolit, patrullimet e natës nga policia, si dhe emigracioni i të rinjve.
“Grupmosha nga 20 deri në 30 vjeç zakonisht në pub konsumon vetëm një pije, kryesisht të llojit spumante dhe më pas shkojnë në lokale të tjera, duke e kaluar kohën kryesisht duke bërë foto për rrjetet sociale.
Përdorimi i rrjeteve sociale është shumë i lartë, por nga ana tjetër vihet re një prirje për konsumimin e drogave të ndryshme. Ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç konsumon më shumë alkool, por daljet e tyre janë më të rralla, zakonisht dy deri në tri herë në muaj”, thotë ai.
Redi thotë se aktualisht kërkesa për pije alkoolike për të dyja grupmoshat ka rënë me 30–40% krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19.
Për të rinjtë, sipas tij, në uljen e konsumit të alkoolit kanë ndikuar disa faktorë, përfshirë politikat për heqjen e patentës, ndalimin e duhanit brenda bareve dhe klubeve, si dhe ndalimin e muzikës pas orës 12:00 të natës.
“Prej gati 10 vitesh vihet re një mungesë e organizimit të festave në klubet e natës, ku veçanërisht të rinjtë priren të organizojnë party në vila apo ambiente private.
Nëse nuk do të kishte turizëm, industria jonë do të falimentonte. Me të rinj që nuk konsumojnë alkool si brezat e mëparshëm dhe me rënie të fuqisë blerëse për shkak të vështirësive ekonomike, pra vetëm me kërkesën e vendasve, baret dhe klubet në Tiranë do të falimentonin.
Kjo është e dukshme edhe te ndryshimi i frekuentimit. Nëse më parë, periudha tetor–mars ishte periudha e bumit për klubet e natës, tashmë nga nëntori deri në mars, klubet mbahen kryesisht nga frekuentimi i turistëve.”
Sjellja sipas grupmoshave
Grupmosha nga 20 deri në 30 vjeç zakonisht në pub konsumon vetëm një pije, kryesisht të llojit spumante dhe më pas shkojnë në lokale të tjera, duke e kaluar kohën kryesisht duke bërë foto për rrjetet sociale. Përdorimi i rrjeteve sociale është shumë i lartë, por nga ana tjetër vihet re një prirje për konsumimin e drogave të ndryshme. Ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç konsumon më shumë alkool, por daljet e tyre janë më të rralla, zakonisht dy deri në tri herë në muaj
Prodhimi i rakisë shënon kulmin gjatë pandemisë së Covid-19
Të dhënat nga Doganat tregojnë se prodhimi i rakisë në Shqipëri ka shënuar një rritje historike gjatë vitit 2020, i cili përkon me fillimin e pandemisë së COVID-19. Ndërsa në 2019 ishin prodhuar rreth 353 mijë litra, në vitin 2020, prodhimi i rakisë vendase u trefishua.
Ekspertët e industrisë shpjegojnë se kjo rritje mund të lidhet me ndryshimet në konsum dhe prodhim gjatë periudhës së izolimeve dhe kufizimeve të lëvizjes, kur kërkesa për rakinë e prodhuar në shtëpi dhe konsumit në vend u rrit ndjeshëm.
Të dhënat tregojnë se pas vitit 2020, prodhimi i rakisë ka rënë ndjeshëm. Në 2021 u prodhua një sasi prej rreth 600 mijë litrash, apo 53% më pak se në vitin 2020.
Ky fenomen tregon ndikimin e jashtëzakonshëm që pandemia e Covid-19 ka pasur mbi industrinë e rakisë, duke ndryshuar jo vetëm volumin e prodhimit, por edhe tendencat e konsumit në vend.
Kurse në periudhën janar-nëntor 2025 u prodhua një sasi prej 358,5 mijë litrash raki. Krahasuar me janar-nëntor 2024, prodhimi i rakisë ra me 5.2%.
Konsumi i birrës pa alkool, një tjetër tendencë
Sipas prodhuesve, tendencat e konsumit të birrës në Shqipëri po ndryshojnë dukshëm, veçanërisht mes të rinjve. Konsumatorët e rinj janë më të ndërgjegjshëm për rreziqet e alkoolit dhe parapëlqejnë produkte cilësore dhe të larmishme. Pijet energjike dhe birra pa alkool po fitojnë terren, duke sjellë ndryshime në mënyrën se si sektori i birrës duhet të përshtatet me kërkesat e tregut.
Ardian Kostaqi, administrator i fabrikës së prodhimit të birrës “Korça”, thotë se të rinjtë, në përgjithësi, priren drejt cilësisë sesa sasisë. Sipas tij, kjo po i vë prodhuesit përpara domosdoshmërisë që të ofrojmë vazhdimisht produkte me cilësi të lartë, të pranueshme dhe të vlerësuara nga kjo kategori konsumatorësh.
“Të rinjtë parapëlqejnë një larmi shijesh birre, shpesh të pasuruara me aroma që u përshtaten më mirë shijeve dhe prirjeve të tyre.
Puna e bërë nga institucionet shtetërore për ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rreziqet që sjell konsumimi i alkoolit ka ndikuar në uljen e konsumit sasior të pijeve alkoolike.
Pijet energjike kanë shënuar trend në rritje mes të rinjve dhe përbëjnë një konkurrencë të drejtpërdrejtë për pijet alkoolike.
Një tjetër tendencë në rritje është konsumi i birrës pa alkool, e cila respektohet nga grupe të caktuara me përkatësi fetare, si dhe parapëlqehet nga të rinj të ndërgjegjshëm për rreziqet e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Në këtë kontekst, nga ana jonë është e domosdoshme të identifikojmë dhe forcojmë pikat që na lidhin me konsumatorin, si: cilësia e produktit; shumëllojshmëria e ofertës; prania në të gjitha rrjetet HoReCa dhe retail; mbajtja nën kontroll e kostove; lufta ndaj hyrjeve të pakontrolluara nga subjekte të ndryshme, veçanërisht në zonat kufitare, ku problematika nuk lidhet vetëm me sasinë e produkteve të hedhura në treg, por edhe me mospagesën e taksave, çka u mundëson këtyre subjekteve të ofrojnë çmime më të ulëta dhe dëmton tatimpaguesit e rregullt”, pohon ai.
Tendencat e prodhimit, importit dhe konsumit të birrës në vend
Gjatë periudhës janar-nëntor 2025 sipas të dhënave të Doganave, sasia e prodhuar e birrës vendase arriti në 37,7 mln litra. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, prodhimi është rritur me 8%, duke qëndruar në nivelet më të larta pas periudhës së pandemisë së Covid-19. Prodhuesit pohuan se rritja e prodhimit është ndikuar nga pritshmëritë e tyre pozitive për shtim konsumi deri në 10% më shumë se 2024 nga turizmi. Por për shkak të dominimit të numrit të turistëve që më së shumti konsumuan pije alkoolike në ambientet e shtëpisë sesa në bare dhe restorante, prodhuesit pohuan më herët se kjo situatë shkaktoi stoqe të pashitura të birrës te ta.
Nga ana tjetër, importet e periudhës janar-nëntor 2025 kanë qenë 51,6 milionë litra apo 4,3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitin 2024.
Pavarësisht shtimit të prodhimit, peshën më të lartë në konsumin total të birrës vijojnë ta mbajnë importet. Në periudhën janar-nëntor 2025, 42% e birrës së konsumuar është prodhuar në vend, ndërsa 58% ka ardhur nga importi. Krahasuar me vitin 2019, kur prodhimi vendas përbënte 51% të konsumit dhe importet 49%, shihet rritje e vazhdueshme e peshës së importit gjatë viteve, me rënie të lehtë për vitin 2025.
Sipas prodhuesve, ndryshimi vijon të reflektojë humbjen e konkurrueshmërisë së birrës vendase për shkak të kostove të larta të prodhimit e ndikuar nga dyfishimi i akcizës që hyri në fuqi nga 1 janari 2023 dhe çmimet e larta të lëndëve të para. Për rrjedhojë, birrat e huaja që tregtohen në vend po shiten me çmim më të lirë sesa prodhimi vendas.
Tendencat e konsumit të verës në Shqipëri
Në vitin 2024, sipas të dhënave të Doganave, në vend u prodhua një sasi prej 1,4 mln litrash verë dhe shampanjë. Në raport me vitin paraardhës, prodhimi ra me 2%. Në vitin 2025, sasia e prodhuar e verës dhe shampanjës rezulton pothuajse e njëjtë me vitin paraardhës.
Për muajt janar-nëntor 2025 u prodhua një sasi prej 1,3 mln litrash verë dhe shampanjë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s, prodhimi ra me 0.04%.
Në vitin 2025, sipas prodhuesve, konsumatorët shqiptarë u orientuan drejt verërave më të lehta dhe me përmbajtje më të ulët alkooli, duke reflektuar një trend global, sidomos mes të rinjve që konsumojnë alkoolin në mënyrë të moderuar.
“Do të thosha që është një trend botëror që vihet re sidomos te të rinjtë, të cilët konsumojnë alkoolin në mënyrë të moderuar. Verërat organike mund të jenë potencial për të ardhmen dhe mendoj që duhet të jetë fokus jo vetëm i prodhuesve, por edhe interes i institucioneve shtetërore.
Përveç kësaj, verërat e prodhuara nga varietete autoktone besoj do të marrin edhe më shumë vëmendje, pasi në vetvete prezantojnë shijen e një produkti 100% shqiptar”, pohoi më herët Rigers Kaçorri, administrator i Kantinës “Arbëri”.
Ai shton se ndikimi i turizmit në konsum ka qenë pozitiv, pasi turistët e huaj shpesh parapëlqejnë të provojnë produktet vendase, duke rritur kërkesën për verërat shqiptare.
“Kantina jonë ka pritur vizitorë nga kombësi të ndryshme gjatë gjithë vitit 2025 dhe në periudha të caktuara si p.sh. në sezonin veror, ky numër ka qenë i lartë.
Pavarësisht se ka edhe grupe turistësh që hyjnë te profili i turistit me shpenzime të reduktuara, do të thosha që çdo turist i huaj e provon gjithmonë një produkt të vendit, qoftë kjo pije e verës apo çdo gjë tjetër që mban origjinën e prodhimit në Shqipëri.
Mendoj se ‘Konsumatori Turist’ luan rol të rëndësishëm në rritjen e kërkesës nga ana e restoranteve apo dyqaneve të verës për produktet e vendit dhe si rrjedhojë, kjo sjell edhe rritjen e konsumit të produkteve shqiptare nga konsumatori fundor.”
Pse sektori i verës vijon të mbetet i varur nga importet?
Në vitin 2024, importet e verës së bardhë dhe të kuqe dhe spumantes arritën në 6,2 mln litra. Krahasuar me 2023, importet e këtij grupi u rritën me 10.4%. Rritja e importeve vijoi edhe gjatë 2025.
Sipas të dhënave të Doganave në vend për muajt janar-nëntor 2025 u importuan një sasi prej 5,5 mln litra verë (e bardhë dhe e kuqe) dhe pije spumante. Në raport me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës importet u rritën me 4,2%.
Sipas të dhënave importet vazhdojnë të dominojnë tregun, duke përbërë mbi 75% të konsumit në të gjitha vitet. Për periudhën janar-nëntor 2025, importet e verës dhe pijeve spumante zunë 81% të tregut.
Prodhimi vendas, edhe pse ka pasur rritje të sasisë pas vitit 2020, mbetet i ulët dhe nuk arrin të rivalizojë importet. Ndër vite, pesha e prodhimit vendas në treg varion nga 17 deri në 23%.
Të dhënat tregojnë se vendi vijon të mbetet i varur kryesisht nga verëra dhe shampanja të importuara, ndërsa prodhimi vendas mbetet një pjesë e vogël e konsumit.
Flori Uka, nga “Uka Farm”, thekson problemet strukturore që ka sektori i verës, duke vënë në dukje se, megjithëse prodhimi vendas është cilësor, mungesa e promovimit dhe shpërndarjes së duhur, janë faktorët kryesorë që dëmtojnë pozicionin e tij në treg.
“Vera në Shqipëri është në një krizë totale. Kemi një problem shumë të madh si vendës, sepse nuk po e menaxhojmë siç duhet këtë moment të Shqipërisë që është në vëmendjen e të huajve.
Nuk po arrijmë t’ju japim turistëve një shishe verë shqiptare, jo se nuk kemi, sepse kemi plot dhe është cilësore, por sepse nuk është e pranishme aty ku duhet.
Vetë pronarët shqiptarë të restoranteve apo bareve nuk e kanë parësore promovimin e produkteve vendase. Prodhimin vendas e denigrojmë e përbuzim dhe ky është një realitet i hidhur.”











