Përfshihen sërish në përplasje dy kampet e protestës te “Rruga e Durrësit”, pranë Ministrisë së Arsimit.
Grupi i studentëve është përplasur me ata të Partisë Demokratike, duke mos i lejuar të bashkohen.

Tensionet kanë përfshirë edhe disa deputetë të PD, si Flamur Noka dhe Klevis Balliu që ndërhynë bashkë me aktivistë të tjerë, teksa pas diskutimeve, tensionet janë ulur.

Në përfundim përfaqësuesit e PD kanë qëndruar larg, duke lëvizur drejt qendrës së Tiranës dhe marshuar te Kryeministria.

Policia i ka ndjekur nga pas protestuesit që marshonin nga Rruga e Durrësit drejt “Shallvareve” për të dalë në bulevard dhe mëtej te Kryeministria.


