Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka reaguar ndaj qëndrimit të deputetëve demokratë në Kuvend, duke vënë në qendër të mesazhit të saj shëndetin e Erjon Vishkullit dhe duke akuzuar drejtimin e PD-së për nxitje të dhunës.
Mila shprehet se lajmi i mirë për gjendjen e Vishkullit duhej të ishte pritur me lehtësim, përtej ndarjeve politike.
Postimi i plotë
“Keqardhje për një Parti Demokratike që vazhdon të mbetet peng e një arkitekti dhune të cilit busulla politike i tregon vetëm zjarr e tym sa herë i mbyllet rruga drejt pushtetit.
Mes gjithë atyre fytyrave të ngrysura e të fashuara që disa prej tyre kishin insinuar sot, do të doja të shihja pak lehtësim për lajmin e mirë lidhur me Erjon Vishkullin, pasi përpara shëndetit të një njeriu, flamujt e partive duhet të ulen e jo të përdoren si fasho për plagë të tjera.
Ju fatmirësisht nuk keni nevojë për fasho, por duhet të hapni sytë e të shihni njëri-tjetrin se kush ju prin, ku ju çon dhe për karrigen e kujt po kërkoni të përvëloni perspektivën europiane të Shqipërisë!
E kush na drejtohej sot në atë sallë, duke penguar normalitetin, e duke derdhur fjalorin linçues gjasme duke “mbrojtur” protestuesit, ju rikujtoj se asnjërin prej jush në PD nuk mund ta lërë të qetë pesha e 21 Janarit. Drejtësi të cilën ne ende e presim e ju në ankthe e makthe jetoni akoma prej saj”.
