Një burrë akuzohet se ka kërcënuar stafin e një deputeteje australiane duke mbajtur në dorë një armë të tipit “nunçaku”, njoftoi policia australiane këtë të enjte, vetëm pak ditë pasi një tjetër deputete u plagos rëndë, kur një burrë e përplasi disa herë me automjetin e tij, e cila humbi të dyja këmbët.
Këto incidente kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e grave në politikë dhe kanë ngritur pikëpyetje lidhur me masat e sigurisë në një vend ku përfaqësuesit e zgjedhur janë mjaft të aksesueshëm për publikun.
Sipas policisë, një 56-vjeçar hyri të mërkurën në zyrën e Hannah Beazley, ministre e qeverisë shtetërore të Australisë Perëndimore, në një periferi të Perthit, duke mbajtur një “nunçaku” dhe duke bërë kërcënime. Në atë moment, Beazley nuk ndodhej në zyrë.
Nunçaku është një armë e arteve marciale, e përbërë nga dy shkopinj të lidhur me njëri-tjetrin me litar ose zinxhir. Ajo përdoret në stërvitjet e kung fusë, karatesë etj.
Burri u arrestua dhe u akuzua për mbajtje të armës në një mënyrë që mund të shkaktojë frikë, si dhe për kërcënim për kryerjen e një vepre të paligjshme. Ai e kaloi natën në paraburgim dhe pritet të dalë para një gjykate në Perth gjatë ditës së sotme, bëri të ditur policia.
Nuk ka asnjë të dhënë që sjellja e këtij personi të ketë lidhje me shoferin që përplasi me automjet deputeten federale Helen Haines të hënën, në shtetin e Viktorias, në bregun lindor të Australisë.
I dyshuari për sulmin ndaj Haines, Brendan Nugent, doli të mërkurën para gjykatës, ku u përball me akuza për shkaktim të dëmtimeve të rënda me dashje, drejtim të rrezikshëm të automjetit që çoi në plagosje të rëndë, si dhe për shkaktim të dëmtimeve ndaj një zyrtari federal.
Ai nuk u shpreh lidhur me akuzat dhe vijon të qëndrojë në paraburgim.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar motivin e sulmit.
Haines, 65 vjeçe, deputete e pavarur, ndodhet në gjendje kritike në një spital në Melburn, ku mjekët kirurgë i kanë amputuar të dyja këmbët, sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Deputetja australiane në gjendje kritike, u përplas qëllimisht me makinë
The post Pas tragjedisë me deputeten që u dëmtua rëndë në këmbë, një tjetër kërcënim trondit politikën në Australi appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
