Forcat “Shigjeta” kanë goditur dy raste të tjera të shitjes së lëndëve narkotike në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Variety”. Në pranga kanë rënë dy persona, 36 dhe 50 vjeç, të cilët dyshohet se shpërndanin kokainë dhe kanabis.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi doza droge, një pistoletë imituese me zara metalikë, automjete dhe telefona celularë.
Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve lëvizte me armën në automjet.
Njoftimi i policisë:
“Finalizohet operacioni i koduar “Variety”. Goditen nga Forca “Shigjeta”, 2 raste të tjera shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Njëri prej tyre, gjithashtu lëvizte me armë, pa leje, në automjet.
Sekuestrohen arma (pistoletë, me zara metalikë), sasi dhe doza të lëndëve narkotike, si dhe automjetet dhe celularët e të arrestuarve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, si rezultat i kontrolleve permanente, të kryera me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që lëvizin të armatosur ose transportojnë lëndë narkotike, me qëllim shitjen, finalizuan operacionin e koduar “Variety”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit R. S., 36 vjeç dhe I. S, 50 vjeç, të dy banues në Tiranë.
-Nga kontrolli fizik, si dhe nga kontrollet në banesë dhe në automjetin që 36-vjeçari drejtonte në rrugën “Njazi Meka”, u gjetën sasi dhe doza të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Gjithashtu, në automjet iu gjet 1 armë imituese e armës së zjarrit pistoletë, me zara metalikë.
-Nga kontrolli në automjetin që drejtonte 50-vjeçari, në bulevadin “Zogu i Parë”, u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.
