Shqipëria ka pësuar humbjen e parë në grupin C të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë u mundën 2-1 nga Finlanda në Helsinki, në një ndeshje që nisi në mënyrën më të mirë, por ndryshoi tërësisht pas daljes me karton të kuq të Etrit Berishës.
Kuqezinjtë goditën që në minutën e 4-t. Kristjan Asllani ekzekutoi goditjen e këndit dhe Rey Manaj fitoi duelin në ajër, duke dërguar me kokë topin në rrjetë për avantazhin 0-1.Por ndeshja ndryshoi në minutën e 22-të.
Etrit Berisha gaboi në pasim dhe më pas ndërhyri ndaj kundërshtarit në kufijtë e zonës. Gjyqtari e ndëshkoi menjëherë portierin shqiptar me karton të kuq. Maran u detyrua të largonte Arbër Hoxhën për të futur në fushë Alen Sherrin.Finlanda e shfrytëzoi menjëherë goditjen e dënimit. Leo Walta goditi fort dhe mposhti Sherrin në minutën e 26-të, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa Maran ndryshoi sulmin në fillimin e së dytës. Rey Manaj la fushën dhe në vendin e tij hyri Mirlind Daku.
Finlanda ndëshkoi kuqezinjtë në minutën e 71-të dhe sërish nga një goditje dënimi. Leo Walta mori përsipër ekzekutimin dhe gjeti për herë të dytë rrjetën, duke kompletuar përmbysjen në 2-1.
Në minutën e 80-të, Myrto Uzuni kërkoi penallti pas një kontakti brenda zonës, por arbitri nuk ndërhyri dhe VAR-i nuk ndryshoi vendimin.
Vetëm dy minuta më vonë, Shqipëria pati një tjetër mundësi të madhe për barazimin. Daku u gjend në pozicion të favorshëm, por nuk arriti të shënonte.
Kuqezinjtë provuan edhe në minutat shtesë. Anis Mehmeti ekzekutoi një goditje dënimi nga një pozicion i favorshëm, por goditja e tij ishte qendrore dhe portieri finlandez e kontrolloi pa vështirësi.
Finlanda ruajti avantazhin 2-1 deri në fund dhe mori tri pikët. Me këtë rezultat, finlandezët ngjiten në krye të grupit me 7 pikë, ndërsa Shqipëria mbetet e dyta me 6 pikë.
Kuqezinjtë do të rikthehen në fushë pas tri ditësh, kur do të presin të martën San Marinon në “Air Albania” në orën 20:45.
