Lideri i Reform UK, Nigel Farage, ka dalë në mbështetje të një propozimi që do t’u mundësonte forcave të Marinës Mbretërore britanike të përdorin forcë vdekjeprurëse në rrethana të caktuara kundër migrantëve të parregullt që përpiqen të hyjnë në Britani përmes Kanalit Anglez.
Deklaratat e tij vijnë pas qëndrimit të mbajtur nga Robert Jenrick, zëdhënësi i partisë për çështjet ekonomike, i cili tha se ushtarakët mund të përdorin forcë vdekjeprurëse në rastet kur një veprim i tillë vlerësohet i domosdoshëm.
Nisma ka nxitur kritika të forta në skenën politike britanike. Ministri i Mbrojtjes, Luke Pollard, e ka cilësuar atë si “të neveritshme dhe të paligjshme”, duke nënvizuar se pjesëtarët e forcave të armatosura kanë detyrimin të refuzojnë urdhrat që bien ndesh me ligjin. Sipas tij, nuk mund të justifikohet hapja e zjarrit ndaj civilëve të paarmatosur.
Në një intervistë për radion LBC, Farage u shpreh se ushtarakët britanikë që gjenden nën sulm kanë të drejtë të reagojnë për t’u mbrojtur. Ai pretendoi gjithashtu se në kampet ku qëndrojnë migrantët raportohen rregullisht incidente me armë zjarri dhe sulme me thikë. Farage i përshkroi grupet që organizojnë kalimet e parregullta drejt Britanisë si rrjete të rënda të krimit ndërkombëtar.
Propozimi është pjesë e planit të Reform UK, të quajtur “Operacioni Fortress”, i prezantuar në gusht. Ai parashikon ndalimin dhe marrjen nën kontroll të varkave të vogla që përdoren për transportimin e migrantëve drejt brigjeve britanike.
Megjithatë, dokumenti i partisë përcakton se përdorimi i forcës vdekjeprurëse mund të bëhet vetëm në përputhje me ligjin, kur është i nevojshëm për vetëmbrojtje ose për të mbrojtur persona të tjerë nga një rrezik i menjëhershëm për jetën.
Në kuadër të politikave të tij për emigracionin, Farage ka bërë të ditur gjithashtu se, nëse Reform UK fiton zgjedhjet dhe merr drejtimin e qeverisë, synon të pezullojë për një periudhë pesëvjeçare sistemin e azilit në Britaninë e Madhe.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
