Nga Mero Baze
Ka disa ditë që po flitet për nevojën e negociatave. Madje, vetë Edi Rama, në daljen e mëngjesit, i përmendi përsëri, duke u thënë atyre që donin të flisnin me të se e kishin derën të hapur. Presidenti, po ashtu, ka hapur dyert e Presidencës dhe pret edhe ai ngushëllime, me shpresën se dikush do t’i gjejë një negociator. Madje, për këtë ka thirrur të gjithë hoxhallarët dhe priftërinjtë e vendit, të cilët luten herë për protestuesit dhe herë për policinë, në mënyrë proporcionale.
Problemi që kanë negociatat në raste të tilla është se me kë do të negociosh, pasi, në fillim, duhet të dish se kë përfaqësojnë ata që janë në rrugë.
Sali Berisha del dhe i merr përsipër orë e minutë dhe ju e dini sa gati jam unë të them se ata janë të Sali Berishës. E vërteta është se njerëzit e Sali Berishës janë me ata, por ata që janë në rrugë me urë zjarri në dorë nuk janë me Sali Berishën. Sali Berisha po i serviloset kot një turme zjarrvënësish, e cila deri tani ka djegur më shumë seli të PD-së sesa të PS-së dhe ka dhunuar më shumë deputetë të PD-së sesa të PS-së. Është një hipokrizi që e kuptoj se e vuan shumë, por, kur s’ke asgjë, kënaqesh edhe me miellin hua.
Ata që janë në rrugë janë një racë parapolitike, pjesë e një fryme ndërkombëtare, që po bën gjëma edhe më të mëdha në Francë, Itali, Spanjë e gjetkë. Të vetmet bekime për ta vijnë nga Kremlini dhe nga disa qendra të botës së islamit politik, të cilat këtu kanë lidhje të drejtpërdrejta me protestën.
Por edhe Moskës i shkon mundimi kot, pasi edhe ata, njësoj si Berisha, gëzohen për diçka që duan ta bëjnë vetë, por po e bëjnë të tjerët. Këta të islamit politik kanë më shumë të drejtë të gëzohen, sepse po e bëjnë dhe po e paguajnë vetë.
Sidoqoftë, që të kthehemi te negociatat, ne duhet të kemi një udhëheqës të tyre me të cilin të flasim. Nëse mendoni se me këta apo për këta mund të flitet me Arlind Qorrin, Agronin apo Sali Berishën, meqë këta bëjnë sikur janë në krye të protestës, do të na ndodhë si më 1997, kur dukej sikur njerëzit e armatosur në rrugë i kishin nxjerrë Neritan Ceka dhe Skënder Gjinushi, meqë ishin shumë aktivë dhe bënin si udhëheqës të tyre, por që, në fakt, nuk i njihte asnjë prej tyre. Të mos flas për PS-në, që nuk dinte ku kishte kokën.
Kjo më kujton një orë të zymtë të 16 marsit 1997, kur Perikli Teta dhe Azem Hajdari po diskutonin bashkë aq seriozisht në hollin e Hotel Rognerit, saqë ishte e vështirë ta merrje si një bisedë për të kaluar kohën.
Pas pak, Azemi mbërriti në tavolinën time dhe nuk e fshihte dëshirën për të më përfshirë në një temë shumë serioze.
– Iku Shqipëria, – tha. – Janë hapur depot në gjithë Veriun. Nuk e rregullojnë dot këta. Duhet qeveri ushtarakësh. Veçse duhet bërë me mirëkuptim. Unë them se duhet hapur loja më gjerë. Këta që janë në qeveri janë plehra.
I lashë të kuptonte se isha i gatshëm ta dëgjoja, madje të ruaja edhe seriozitetin.
– Unë po e bisedoj me Peron, – më tha. – Ai është ushtarak dhe këta komunistët e respektojnë. Ne duhet të testojmë sa forcë reale kanë ata për të vendosur rregull. Dhe duhet të veprojmë shpejt.
– Çfarë do nga unë? – i thashë.
– E di vetë ti, – më tha, duke ma bërë me shenjë lart, për Berishën, dhe iku përsëri te tavolina e Tetës.
Nuk isha i sigurt se çfarë po bisedonte atje, por, pasi u largua, e pashë se përpjekja për ta imponuar gjithë këtë histori si serioze ishte thjesht një test i zakonshëm i Azemit, nga ato që ai dinte t’i bënte shumë mirë.
Në gjithë atë luftë që kishte plasur dhe ku s’kishte mbetur shqiptar pa u dukur i rëndësishëm, njeriu që kishte përmbysur komunizmin kishte mbetur pa punë dhe nuk i duhej askujt. Tani ai thjesht donte të dinte se me kë ishin ata në rrugë, me armë në duar.
Një orë më pas, Azemi u kthye te tavolina ime, ndërsa Perikli Teta u çua nga tavolina e tij, duke u larguar i vetëm me një buzëqeshje të përgjysmuar ndaj meje.
Azemi ma bëri me shenjë të ulesha pranë tij.
– Hë, si të duket puna? – tha. – Se mos ke folur gjë me Marshallin? – E kishte fjalën për Berishën.
– Nuk jam çmendur, – i thashë. – Po ty si të shkoi me Peron?
– Mirë më shkoi. Ai i merr ca gjëra seriozisht, por një gjë është e sigurt. Këta nuk paskan njerëz fare. Unë i thashë ta nisim grushtin e shtetit, se i kam 150 djem në oborr. Ai më tha: “Dakord, por ne s’kemi asnjë.” Këta qenkan kot. Nuk kanë njerëz dhe nuk u duhet hapur rrugë. Këta nuk e dinë ende ku e kanë fuqinë. Ata në rrugë nuk i pjerdhin fare…
E kam botuar afërsisht këtë pasazh në librin për ngjarjet e vitit 1997. Talenti i vetëm i Azemit ishte pikërisht të kuptonte se kush i kontrollonte turmat dhe, për këtë, shpiku sikur do të bënte grusht shteti, që të merrte vesh se kush ishte me ta. Dhe zbuloi se nuk ishte askush.
Tani kështu po ndodh edhe me këto negociata: po kërkohet të bëhen negociata me njerëz që nuk kanë kërkuar negociata dhe as nuk e dinë çfarë janë negociatat.
Që të mos bëhemi të gjithë qesharakë me këtë histori, lutuni të mos ndodhë ndonjë gjë e keqe, të mos humbasë jetën ndonjë fëmijë adoleshent apo ndonjë pjesëtar i policisë, dhe përpiquni të mësoheni të përballoni një shpërthim dhune që nuk do negociata. Nuk zgjidhet as me ikjen e Edi Ramës, as me ardhjen e Sali Berishës, madje as me ardhjen e Gones. Zgjidhet duke dëshmuar se shteti duhet të qëndrojë, pavarësisht pushtetit, kurse pushteti duhet të reflektojë për problemet që vijnë nga rruga, qoftë me zgjedhje, qoftë me ndryshime që e rregullojnë problemin, jo që kënaqin rrugën.
Kjo sjellja e Berishës dhe e PD-së sikur janë në ballë të punës, postimet e shpifura të deputetëve të tyre që bëjnë sikur kujdesen për të dhunuarit apo kjo sjellja e Qorrit dhe Shehajt si pronarë të protestës, thjesht mund t’i bëjnë ata përgjegjës për çfarë ndodh, por jo fitues. Kjo nuk është beteja e tyre. Kjo është dëshira e tyre, ashtu siç është dëshirë edhe e shumë njerëzve të tjerë. Por jo të gjithë ata që kanë dëshirë të ikë Edi Rama e përfaqësojnë këtë dhunë në rrugë. Do të ishte shumë e thjeshtë sikur ata ta përfaqësonin dhunën, pasi ata i njohim dhe mund të flasim.
Puna është se, ende pa mbaruar takimi me ta, dhuna mund të shumëfishohet dhe ata nuk i pyet askush. E gjithë ajo histori që tregova me Azemin, kishte ndodhur një javë pas negociatave dhe vendosjes së paqes me 9 mars 1997. Pra pasi qeveria kishte dhënë dorëheqjen dhe socialistët kishin marrë drejtimin e saj me kryeministër Bashkim Finon, të votuar edhe nga PD-ja, nje jave me pas ishte më keq.
Prandaj gjeni një herë se me kë duhet folur, pastaj se çfarë duhet folur. Ju tregova një histori se si Azemi, për të zbuluar se me kë duhej folur, shpiku një grusht shteti. Por as kjo nuk e ndali dot dhunën. Ju shpikni diçka më pak për të qeshur, së paku për këto negociata.
Burimi: Opinion
