Kreu i PD Sali Berisha në intervistën e dhënë për Klan News foli edhe për protestat e studentëve, që kanë përfshirë Tiranën.
Berisha u shpreh se policët e Ramës janë narko-banditë e mercenarë, që dhunuan si kafshë studentët.
“Këto janë narko-banditë, që janë mbledhur mbi kriterin e lidhjes me krimin, janë patronazhistë, se kurrë një polic i vërtetë, një snajper i policisë nuk përdor armën drejt, armën e përdor vetëm tek këmbët, kurrë një polic nuk hidhet si kafshë dhe ia thyen kockat një të sëmuri. Këta janë mercenarë vendas ose të huaj”, tha Berisha.
Foli edhe për incidentin me deputetin e PD Klevis Balliu, që u raportua se u hodh në Lanë nga protestues. Berisha tha se këtë incident e ka bërë një agjente e policisë kriminale.
“Ai që bëri incidentin tek Lana me Klevis Balliun është agjente e policisë kriminale. Ajo bën sikur është e sëmurë psikike, por është e paguar për aktin që bën. Elementi tjetër është kontigjent i ekstremit të majtë. Deputetët tanë kanë qenë nën stop në këtë protestë, deputetët tanë janë përballur dhëmbë për dhëmbë me policinë. Parlamenti sot është ilegjitim, sepse është i dalë nga krimi”, vlerësoi Berisha.
U pyet edhe për 21 Janarin, ku Berisha theksoi se protestat në atë kohë “lindën” nga një video, që sipas tij, ishte tërësisht e falsifikuar. Për Berishën, më 21 janar, armët e zjarrit janë përdorur tërësisht në përputhje me ligjin.
“Protesta e 21 Janarit bazohej në një video të montuar, u krijua në një falsitet. Aty lakohej një njeri, që nuk kishte lidhje fare. Në 21 janar, policia mbajti qëndrim ligjor, 120 policë janë plagosur atë ditë dhe efektivët kanë marrë përgëzime nga gjithë ndërkombëtarët. Armët e zjarrit janë përdorur në përputhje me ligjin. Në atë kohë ka qenë prokurore një kundërshtare e imja”, u shpreh Berisha.
Më tej, theksoi se Rama, njësoj si etërit e tij sheh forca të huaja gjithandej. Sipas tij, kryeministri kontrollon edhe drejtësinë e re.
“Rama flet si etërit e tij, që gjen “të këqijtë” jashtë vendit. Kjo, sepse nuk pranon dot barbarinë e kryera mbi studentët. Por, Rama do e paguajë. Ne si PD respektojmë pronën private, Dora e zezë e Edi Ramës kontrollon edhe drejtësinë e re”, deklaroi Berisha.
