Një dron strategjik i NATO-s, tip “Northrop Grumman RQ-4D Phoenix”, ka realizuar një fluturim të gjerë mbi Ballkan, duke kaluar edhe mbi territorin shqiptar, gjatë një misioni mbikëqyrjeje në rajonin e Detit të Zi.
Sipas të dhënave të publikuara nga platformat e monitorimit ajror, avioni pa pilot me kodin operacional “MAGMA11” u nis nga baza ajrore e Sigonellës në Itali dhe zhvilloi operacione vëzhgimi përgjatë krahut lindor të NATO-s.
Gjatë fluturimit, droni aktivizoi kodin 7600, sinjali standard ndërkombëtar që tregon probleme në komunikimin radio, ndërsa ndodhej mbi hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, mjeti vijoi itinerarin drejt Detit të Zi përpara se misioni të ndërpritej dhe avioni të kthehej në Siçili.
Harta e fluturimit tregon se RQ-4D kaloi mbi Shqipëri në fazën e kthimit, duke përdorur korridorin ajror të Ballkanit Perëndimor, një zonë që NATO e konsideron strategjike për monitorimin dhe sigurinë rajonale.
Vëmendjen e ka tërhequr veçanërisht orbita që droni realizoi mbi Maqedoninë e Veriut. Sipas platformës së specializuar “Itamilradar”, pozicionimi i avionit mundësonte mbulim të gjerë të Kosovës dhe jugut të Serbisë përmes sistemeve të avancuara të zbulimit dhe mbikëqyrjes.
Sipas të njëjtit burim, një trajektore e tillë nuk konsiderohet rastësore, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike që NATO i kushton stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria, si vend anëtar i Aleancës, mbetet pjesë e korridoreve kryesore operative dhe logjistike të NATO-s në Mesdhe dhe Ballkan. Fluturimi i dronit mbi territorin shqiptar konfirmon rëndësinë e hapësirës ajrore shqiptare në operacionet e monitorimit të Aleancës.
RQ-4D Phoenix është ndër platformat më moderne të mbikëqyrjes strategjike të NATO-s. Avioni mund të operojë për më shumë se 30 orë në lartësi shumë të mëdha dhe përdoret për mbledhje informacioni në kohë reale mbi aktivitetet ushtarake dhe zhvillimet e sigurisë në rajone sensitive.

