Nga Fatos Çoçoli
Në pamundësi deri tani për të djegur Kuvendin dhe kryeministrinë, nga rezistenca e forcave të rendit, mbrëmë, në orën 18.45-19.05 e provuan me katin e parë të Gjykatës së Lartë, në fillim të rrugës “Myslym Shyri në Tiranë.
Fillimisht dërguan çiliminj, adoleshentë 15-16 vjeçarë, me kapuç dhe maska, që, duke bërë gallatë dhe selfi me njëri-tjetrin, bllokuan rrugën me katër kazanë me hedhurina, dy prej të cilave i morën nga rruga dytësore brenda pallateve të “Myslym Shyri”-t.
Pastaj erdhën të rinj të tjerë, pak më të rritur, edhe ata me kapuç me maska, që i vunë qetësisht zjarrin kazaneve, në mënyrë që zjarri që do të vinin në gjykatë ta digjte mirë, përpara se sa zjarrfikësja të arrinte për ta shuar. Pastaj, pasi thyen dritaret e katit të parë të Gjykatës së Lartë, në pjesën anësore të ndërtesës, në fillim të rrugës “Myslym Shyri, hodhën shishe birre të mbushura me benzinë brenda katit të parë, duke e djegur atë, ndërsa pak metra më tutje, nga ana tjetër e rrugës, vandalizonin, plaçkisnin dhe shkatërronin një pikë shitjeje të telefonisë celulare dhe internetit për dhjetra mijëra banorë të zonës.
Jemi përpara një sulmi të organizuar mirë, për ta gjunjëzuar Shqipërinë tonë si shtet. Gjykata e Lartë është një institucion kushtetues dhe ruan dhjetra e qindra mijëra dosje të dosjeve-raporte gjyqësore të qytetarëve tanë, apo të bizneseve që kanë kërkuar zgjidhje gjyqësore, apo edhe vetë institucioneve shtetërore. Këmbana e Vitit të Mbrapshtë 1997 ka nisur të bjerë!
Ndaloni glorifikimin e sulmeve ndaj institucioneve dhe pronës private! Ndaloni përdorimin e rinisë si dekor romantik për vandalizmin! Ndaloni relativizimin e dhunës vetëm sepse ajo kryhet në emër të një kauze politike të preferuar! Ndaloni transmetimin televiziv sensacionalist, që e kthen shkatërrimin në spektakël. Mos heshtni përballë padrejtësive, por mos i paraqitni aktet e dhunshme si zgjidhje! Mbroni të drejtën për protestë dhe, njëkohësisht, të drejtën e qytetarëve për të jetuar e punuar pa frikë! Parti të opozitës së vendit tim: distancohuni nga dhuna e përdorur në emër të gjoja kërkesave studentore! Bëni thirrje për stop zjarrvënieve të institucioneve kushtetuese dhe bizneseve private! Po cënohet rendi kushtetues i vendit. Nuk e vini re?
Të jesh kundër qeverisë, nuk të jep të drejtën të shkatërrosh pronën publike dhe institucionet kushtetuese. Të jesh analist, nuk të jep të drejtën të paraqesësh dhunën si heroizëm rinor. Të jesh i ri dhe i revoltuar, nuk do të thotë se duhet të bëhesh instrument i atyre që duan të djegin Shqipërinë.
Mos e ktheni dhunën dhe zjarrvëniet e institucioneve kushtetuese në program politik!
Burimi: Opinion
