Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për ish-shefin e rrugores Roven Zeka, duke kërkuar dënimin e tij me 4 vite burg, dënimi të zbresë në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Për ish-shefin e hetimit të aksidenteve Sokol Novakun, SPAK kërkoi të njëjtin dënim.
Për Bledi Belbën, prokuroria kërkoi dënimin me 1.6 vite burg, të pezullohet dënimi dhe të konvertohet në shërbim prove.
Ndërsa për oficerin e OPGJ Edison Tabaku, organi i akuzës kërkoi deklarimin e tij fajtor dhe dënimin me 5 vite burg, si dhe uljen e 1/3 së dënimit.
Për Ergest Vrionin, i cili i dha një shumë parash Edison Tabakut për të fshehur aksidentin me 5 të plagosur, SPAK kërkoi dënim me 2 vite. Për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, dënimi të zbresë në 1 vit e 4 muaj dhe të pezullohet, duke e vendosur Vrionin në shërbim prove për këtë periudhë.
SPAK kërkoi të konfiskohen paratë që iu dhanë Edison Tabakut. Hetimet treguan se Zeka, në bashkëpunim me dy ish-zyrtarët e policisë, kanë marrë para nga Ergest Vrioni, në mënyrë që aksidenti i shkaktuar nga bashkëshortja e tij Anisa Vrioni të mos referohej në prokurori dhe të mos nisnin hetimet.
Prokuroria thotë se u kërkuan 2000€ në mënyrë që Anisa Vrioni të mos arrestohej për shkaktimin e aksidentit me disa të plagosur dhe se këto para u kërkuan të jepeshin shpejt.
Personat që i kanë dhënë shumën e parave Edison Tabakut kanë qenë Ergest Vrioni dhe Bledi Belba.











