Monika Lubonja ka bërë kallëzim në polici ndaj kompozitorit Adi Hila, pas publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale.
Aktorja, e cila pak më herët reagoi publikisht për herë të parë lidhur me ngjarjen, tashmë ka vendosur t’i drejtohet edhe organeve të drejtësisë. Sipas informacionit të bërë publik, Lubonja është e para nga gratë e përfshira në videot intime që ka ndërmarrë këtë hap ligjor ndaj Hilës.
Në reagimin e saj publik, Lubonja deklaroi se nuk kishte pasur dijeni dhe nuk kishte dhënë pëlqim për t’u filmuar apo regjistruar, ndërsa theksoi se nuk kishte dhënë leje që materiale intime të saj të shpërndaheshin, të shiteshin apo të publikoheshin.
“Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, u shpreh ajo.
Lubonja bëri të qartë se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore dhe se pret që drejtësia të zbardhë të vërtetën.
“I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund”, shkroi aktorja.
