Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka publikuar pamjet nga operacioni për transferimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve nga Burgu i Fushë-Krujës, i cili po rikonstruktohet, drejt burgjeve të tjera, si ai i Peqinit dhe i Durrësit.
Në njoftimin zyrtar, thuhet se transferimi ka përfunduar me sukses, ku nga gjithsej 142 të burgosur dhe paraburgosur, 85 prej tyre u dërguan në burgun e Peqinit dhe 57 në atë të Durrësit.
“Operacioni u realizua me përdorimin e teknologjisë bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore, sisteme anti-dron dhe sisteme komunikimi dixhital individual për çdo punonjës të përfshirë.
Kamerat e trupit dhe ato të automjeteve transmetuan pamje live, duke garantuar transparencë, kontroll dhe siguri maksimale .”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Gjithashtu, thuhet se operacioni u koordinua në kohë reale me të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjatë itinerarit të lëvizjes, përfshirë Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës, si dhe komisariatet përkatëse, duke siguruar një bashkëpunim efikas ndërinstitucional.
“Të dyja autokolonat mbërritën pa asnjë incident në destinacionet përkatëse, ku u zbatuan procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe akomodimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.”, sqarohet më tej.
Ndërkohë theksohet se sistemi penitenciar shqiptar vijon të jetë i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor, transparent dhe të sigurt, në funksion të rendit, ligjit dhe dinjitetit njerëzor.










