Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës shtrënguese të vendosur ndaj saj nga Gjykata e Posaçme, që e ndalon për të dalë jashtë vendit.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se sa i përket masës tjetër për pezullimin nga ushtrimi i detyrës zëvendëskryeministrja Balluku s’ka ngritur pretendime, duke qenë se Apeli e ka pezulluar atë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sjellim ndërmend se këto dy masa ishin vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të hetimeve ndaj saj lidhur me tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i kërkoi Kuvendit më 16 dhjetor 2025 autorizimin për arrestimin e Ballukut, e pandehur për këto çështje.
Sa i përket masës për pezullim nga detyra, çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga qeveria, pasi kryeministri Edi Rama e cilëson si antikushtetuese masën e pezullimit për një ministër nga gjykata. Sipas kreut të qeverisë ky vendim cenon garancinë e imunitetit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të cilët në ankim thuhet se gëzojnë imunitetin e një deputeti, ndaj të cilit në Kodin e Procedurës Penale specifikohet që nuk mund të ndërmerret masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës.
Sipas qeverisë, kjo masë ka shkaktuar mosmarrëveshje të kompentencave mes ekzekutivit dhe prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme dhe kërkon zgjidhjen nga Gjykata Kushtetuese.
Çështja u shqyrtua nga togat e zeza të kësaj gjykate më 22 janar dhe bazuar në praktikat e mëparshme, pritej që vendimi të shpallej që të martën, 27 janar.
Megjithatë, disa prej anëtarëve të kësaj gjykate kërkuan më shumë kohë për të formuar qëndrimin e tyre mbi rastin.

