Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e kësaj të diele në Shkodër, ku një 67-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, në zonën e Urës së Bahçallëkut, ku drejtuesja 27-vjeçare dyshohet se humbi kontrollin mbi makinën, doli nga rruga dhe u përplas me shkallët metalike të një ndërtese.
Automjeti goditi këmbësoren që po ecte në trotuar, duke i shkaktuar vdekjen.
“Rreth orës 15:40, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”, shtetasja B. P., 27 vjeçe, duke drejtuar automjetin e saj, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shkallët metalike të një ndërtese.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën këmbësorja, shtetasja E. B., 67 vjeçe, e cila po ecte në trotuar.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit”, njofton policia.
