Gazetari Enver Robelli u shpreh se deklaratat e ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, se flamuri i Serbisë do të valëvitet sërish në Prizren, janë “pjesë e komedisë elektorale në Serbi”.
“Nuk ka nevojë për alarm kombëtar. Deklaratat e Daçiç i konsideroj si pjesë të komedisë elektorale në Serbi. Ai tha se do të vijë ditë kur do të valëvitet flamuri serb në Prizren, por sipas Kushtetutës së Kosovës, pakica serbe ka gjithë të drejtën ta përdorë flamurin serb pa asnjë problem në Kosovë. Deklarata e tij është interesante për një arsye, sepse foli vetëm për flamurin dhe nuk tha që do të kthehen me polici, pasi ai e di shumë mirë që kjo do të thotë luftë me gjithë shqiptarët në rajon. Elita politike serbe nuk e ka kuptuar akoma që nuk jemi më në vitin 1999. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërsa në 1997 praktikisht nuk ka pasur ushtri. Tani, edhe Kosova ka ushtri”, tha Robelli në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, “këto deklarata janë pjesë e retorikës elektorale”.
“Vuçiç para disa viteve pati thënë që Serbia ka mjaftueshëm tanke, por jo mjaftueshëm tankistë. Shoqëria serbe nuk ka disponim për t’u hedhur në aventura luftarake. Prandaj, nuk mund të sillemi sikur ushtria serbe është para Mitrovicës. Përgjigjja më e mirë është qeverisja e mirë, si në Kosovë, si në Shqipëri. Duhet të ketë më pak polarizim”, theksoi Robelli.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
