Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, e cilësoi dhunën gjatë protestave si të pajustifikueshme, duke akuzuar disa media për “relativizimin dhe glorifikimin e saj”.
Ai pretendoi se përshkallëzimi i dhunës ishte përgatitur prej muajsh dhe se të dhënat për futjen në Shqipëri “të maskave dhe lëndëve eksplozive”, si dhe për organizimin e grupeve të përfshira, janë në duart e Policisë së Shtetit.
Ai ngriti gjithashtu pretendime për financim nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike për përgjegjësi politike lidhur me dhunën e nisur pranë Ministrisë së Arsimit.
Kryeministri theksoi se protesta është një e drejtë e pamohueshme, por se ajo nuk duhet të shërbejë si justifikim për akte dhune. Pretendimet e ngritura prej tij mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.
“Dhuna është një krim i parelativizueshëm dhe i pajustifikueshëm. Në protestat e javës së fundit u bënë bashkë, nga njëra anë, për të protestuar si një e drejtë e pamohueshme, dhe nga ana tjetër, dhuna si një krim që u relativizua, por dhe u glorifikua në ekranet e korruptuara të mbrëmjeve mediatike. Shqipëria dhe shqiptarët panë me ankth se si terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkuan me idenë tërësisht të rreme se studentë të pafajshëm, studentë idealistë, studentë të dalë në rrugë për të çliruar Shqipërinë, u vunë nën dhunën policore, një përmbysje dramatike manipuluese e një realiteti tërësisht tjetër”, tha ai.
Proteata ishte e influencuar nga forca të tjera, ka qenë një fakt që në këtë fazë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganave dhe subjekteve të caktuara, janë tashmë në duart e Policisë së Shtetit. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit Antifa, rrjeti i terrorit urban, që, në emër të neokomunizmit dhe anarkisë, dhe antikapitalizmit, ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë së Shtetit.
Një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë janë të financuar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para të ardhura nga jashtë, ku, pa dyshim, qershia mbi tortë, ose më saktë, glasa mbi tortë, është PD-ja, e cila dje mori dhe autorësinë e dhunës tek Ministria e Arsimit“, tha ai.
