Ka qenë Ulsi Manja ai i cili ka lexuar një përmbledhje të raportit për Belinda Ballukun, ku ka shprehur qendrimin zyrtar të socialistëve për kërkesën e SPAK.
Në fjalën e tij për raportin rekomandues, Manja tha se falenderon kolegët në Këshillin e Mandateve për seriozitetin dhe përgjegjësinë që është trajtuar çështja.
“Sot jemi përpara një realiteti të ri juridik dhe institucional. Deputetja Belinda Balluku nuk ushtron më funsonin si ministre për shkak të ndryshimeve të qeverisë. Por kërkesa për ashpërsimin e masës mbetet hipotetike. Pra arratisja, prishja e provave etj. Në vend të një procesi të drejtë e kemi parë këtë çështje në një tribunal mediatik dhe politik, standard që bie ndesh me shtetin e së drejtës. Ne duhet të ndajmë zhurmën publike nga faktet. Kërkesa e SPAK në rastin e deputetes Belinda Balluku ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvend për marrjen e masës së sigurisë me arrest, apo për kontrolle banese. Kuvendit në këtë rast i kërkohet të zëvendësojë pezullimin me arrestimin.” – tha Ulsi Manja ndër të tjera.
Sipas tij, deputetja Balluku, provohet qartësisht se e ka respektuar në mënyrë korrekte masën e sigurimit personal, atë të mos daljes jashtë vendit.










