Pak ish-drejtues të shërbimeve të inteligjencës mund të thonë se karriera e tyre në spiunazh mori hov të vërtetë pasi u larguan nga detyra. Por ky nuk është rasti i August Hanning-ut, i cili drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës së Gjermanisë, BND, nga viti 1998 deri në vitin 2005.
Deri në këtë javë, Hanningu, një jurist me formim, i cili iu drejtua fushës së sigurisë relativisht vonë në karrierën e tij profesionale, njihej kryesisht si një nga kritikët më të ashpër të vetë BND-së.
“Një vegjetarian mes shërbimeve sekrete”, ishte shprehur dikur ai, duke e krahasuar organizatën që drejtonte me homologët e saj më “mishngrënës” në vendet aleate.
Tashmë, 80-vjeçari ndodhet pas hekurave. Të martën në mëngjes, 13 tetor, policë të maskuar bastisën shtëpinë e tij në fshat dhe e vunë në pranga.
Prokuroria Federale e Gjermanisë e akuzon për një vepër të jashtëzakonshme: blerjen e paligjshme, për më shumë se një dekadë, të mijëra dokumenteve të klasifikuara që vinin nga nivelet më të larta të shërbimit që ai vetë kishte drejtuar.
Sipas prokurorisë, Hanning-u kishte rekrutuar dhe paguar një ish-bashkëpunëtor të tij në BND, i cili kishte shërbyer si shef kabineti për tre drejtues të njëpasnjëshëm të shërbimit. Ky person dyshohet se i ka përcjellë dokumente të klasifikuara Hanning-ut në mënyrë të vazhdueshme.
Avokati i Hanning-ut ka pranuar se klienti i tij zotëronte dokumente sekrete, por mohon që ai të ketë paguar për to ose t’ua ketë kaluar fuqive të huaja. Sipas mbrojtjes, Hanning-u nuk ka bërë kurrë asgjë në dëm të Gjermanisë.
Skandali ka shkaktuar tronditje në të gjithë vendin, në një kohë kur ligjvënësit sapo kanë nisur diskutimet për një legjislacion të ri që do t’i jepte BND-së kompetenca më të gjera, në kushtet e përkeqësimit të shpejtë të situatës ndërkombëtare të sigurisë.
Brenda natës, çështja është kthyer në një simbol të dështimeve të BND-së dhe të marrëdhënies së ndërlikuar të elitës politike gjermane me spiunazhin dhe çështjet e sigurisë.
Nga jurist në krye të inteligjencës gjermane
August Hanning-u lindi në vitin 1946, në një familje të pasur në veriperëndim të Gjermanisë. Babai i tij zotëronte një fabrikë tullash. Pikërisht në pronën familjare në Nordwalde, pranë kufirit me Holandën, Hanning-u u arrestua.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Osnabrück, qytet ku ishte vendosur ushtria britanike në Gjermani, ai studioi drejtësi. Fillimisht ndoqi studimet në Freiburg, ku në atë kohë figura e filozofit Martin Heidegger vazhdonte të ndikonte në jetën intelektuale të qytetit, pavarësisht moshës së tij të thyer.
Më pas, Hanningu u kthye në Münster, pranë vendlindjes, ku përfundoi doktoraturën në të drejtën mjedisore në vitin 1975.
Karriera e tij nisi në administratën publike lokale, në fushën e taksave. Në vitin 1981 u transferua në Bon, ku iu bashkua kancelarisë së Gjermanisë Perëndimore si specialist për çështjet mjedisore.
Megjithatë, në vitin 1986, drejtimi i karrierës së tij ndryshoi.
Ai u dërgua në Gjermaninë Lindore, ku shërbeu si zyrtar i sigurisë në misionin e Gjermanisë Perëndimore në Berlin. Përgjegjësia e tij lidhej me programin e qeverisë së Gjermanisë Perëndimore për lirimin e të burgosurve politikë, përmes pagesave ndaj Republikës Demokratike Gjermane, e cila përballej me mungesë të madhe të valutës së huaj.
Pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë, Hanningu kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë me Bernd Schmidbauerin, politikan të Bashkimit Demokristian (CDU). Kjo miqësi do të rezultonte vendimtare për karrierën e tij.
Të dy ndanin interesin për çështjet mjedisore. Në vitin 1991, Schmidbaueri u emërua zëvendësministër i Mjedisit, ndërsa më vonë kaloi në kancelari si ministër shteti, me përgjegjësi që përfshinin edhe shërbimet e inteligjencës.
Schmidbaueri e mori Hanning-un në kancelari për të punuar me të. Në vitin 1998, me mbështetjen e tij, Hanningu u emërua drejtues i ri i BND-së.
Në krye të BND-së gjatë luftës kundër terrorizmit
Hanningu drejtoi BND-në në një periudhë vendimtare të historisë së saj. Gjatë mandatit të tij nisi lufta e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit.
Një informator i BND-së, i njohur me emrin e koduar “Curveball”, ishte burimi kryesor i pretendimeve të qeverisë amerikane në Kombet e Bashkuara se regjimi i Sadam Huseinit në Irak po prodhonte dhe fshihte armë të shkatërrimit në masë.
Hanningu protestoi personalisht te drejtori i atëhershëm i CIA-s, George Tenet, duke kundërshtuar mënyrën se si amerikanët kishin përdorur informacionin e shërbimit gjerman. Megjithatë, kundërshtimet e tij nuk patën efekt. Qeveria gjermane refuzoi të mbështeste pushtimin e Irakut nga administrata e presidentit amerikan George W. Bush.
Edhe viti i fundit i Hanning-ut në krye të BND-së u shënua nga polemika. Në fund të vitit 2005, ai pranoi publikisht se shërbimi kishte spiunuar në mënyrë sistematike gazetarë gjermanë, megjithëse mohoi të kishte qenë në dijeni të kësaj veprimtarie.
Pas largimit nga BND-ja, Hanning-u arriti në një nga postet më të larta të administratës shtetërore gjermane. Nga viti 2005 deri në vitin 2009, ai shërbeu si sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme. Pavarësisht pensionit të majmë shtetëror, prej 11 mijë eurosh në muaj, sipas të dhënave qeveritare, ai synoi të fitonte edhe nga sektori privat.
Dyshohet se shiti dokumente sekrete për para
Pikërisht në këtë periudhë, në vitin 2010, sipas prokurorisë, Hanningu lidhi një marrëveshje me ish-shefin e tij të kabinetit në BND, një person i identifikuar vetëm si “Manfred D.”.
Sipas akuzës, marrëveshja parashikonte që Hanningu të merrte vazhdimisht materiale të ndjeshme të shërbimit në këmbim të pagesave në para.
Reputacioni i tij si ish-drejtues i inteligjencës dhe rrjeti i gjerë i kontakteve i siguruan klientë në sektorin privat. Në vitin 2013, ai u bë anëtar i bordit të Forumit Gjermano-Azerbajxhanas, një grup lobimi në mbështetje të Bakusë. Ai pati klientë në Izrael, Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Austri, Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Hanning-u u bë gjithashtu një komentator i shpeshtë politik, shpeshherë me qëndrime të ashpra për çështje të ndryshme.
Në vitin 2015, ai kritikoi reagimin e kancelares së atëhershme Angela Merkel ndaj krizës së emigrantëve, duke propozuar mbylljen e kufijve të Gjermanisë dhe, nëse do të ishte e nevojshme, ndarjen e familjeve të emigrantëve.
Në vitin 2017, kur një skandal lidhur me ndikimin rus në të djathtën ekstreme austriake çoi në rrëzimin e qeverisë në Vjenë, Hanning-u u kthye kundër gazetarëve që zbuluan çështjen. Ai deklaroi se policia duhej të hetonte gazetarët dhe burimet e tyre.
Sipas personave që e njohin, vitet e fundit Hanningu kishte filluar të shfaqej gjithnjë e më arrogant dhe autoritar, si një njeri i mësuar të impononte vullnetin e tij, i cili papritur e kishte gjetur veten larg qendrës së pushtetit politik.
Të tjerë, përfshirë një nga klientët e tij, e përshkruan si një profesionist të aftë dhe me ndikim, që “i çonte gjërat deri në fund”.
Në qarqet politike dhe të sigurisë në Berlin kishin nisur të qarkullonin shqetësime për natyrën e marrëdhënieve të tij tregtare edhe përpara arrestimit. Sipas zyrtarëve të informuar për këto diskutime, Hanningu ishte kritikuar për lidhjet tepër të ngushta me persona me reputacion të dyshimtë dhe me biznese që kishin marrëdhënie të diskutueshme me qeveritë në Lindjen e Mesme dhe Rusi.
Hanningu ishte në dijeni të këtyre thashethemeve. Në gusht, ai i dërgoi një letër drejtuesit aktual të BND-së, ku kritikonte ashpër agjencinë për përcjelljen te prokurorët të informacioneve që linin të kuptohej se ai mund të ishte spiun rus, pa i dhënë mundësinë të kundërshtonte akuzat. Letra u raportua të premten nga gazeta gjermane Die Welt.
Skandali që e çoi drejt arrestimit
Jo të gjitha marrëdhëniet e tij tregtare rezultuan aq fitimprurëse sa dukej në fillim.
Në vitin 2017, Hanningu iu bashkua bordit mbikëqyrës të bankës letoneze PNB Banka. Kur banka falimentoi në vitin 2019, në kuadër të një skandali për pastrim parash me lidhje ruse, Hanningu u gjend sërish në qendër të vëmendjes.
Policia e hetoi nën dyshimin se nuk kishte përmbushur siç duhej detyrimet e tij mbikëqyrëse. Në një letër drejtuar kancelarit të atëhershëm Olaf Scholz në vitin 2022, e zbuluar këtë javë nga mediat gjermane, ai shkroi se falimentimi i bankës, për të cilin u konsiderua pjesërisht përgjegjës, i kishte kushtuar “miliona”.
Por ishte një tjetër klient që do të shënonte rënien e tij.
Në të njëjtin vit kur i shkroi Scholzit, Hanningu, përmes kompanisë së tij System 360, u punësua nga Christina Block, trashëgimtare e një biznesi të njohur gjerman restorantesh biftekësh, për ta ndihmuar të rifitonte kujdestarinë e fëmijëve të saj.
Në shtator të vitit 2025, prokurorët bastisën shtëpinë e tij në kërkim të provave lidhur me këtë çështje. Ishte pikërisht gjatë këtij kontrolli që u zbulua koleksioni i madh i dokumenteve të klasifikuara të BND-së.
Në maj të këtij viti, Prokuroria Federale e Gjermanisë ndërhyri drejtpërdrejt, duke përgjuar pajisjet e tij dhe duke mbledhur prova që çuan në arrestimin e kësaj jave.
Hetimi ndaj ish-kreut të inteligjencës gjermane ka tronditur institucionet e vendit dhe ka rikthyer në qendër të debatit pyetjet mbi sigurinë kombëtare, mbrojtjen e sekreteve shtetërore dhe marrëdhëniet mes shërbimeve të inteligjencës dhe interesave private.
Artikulli i Financial Times, përshtatur në shqip
Burimi: Lajme ndërkombëtare
