Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar mbërritjen e dy makinave ujëhedhëse në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke pretenduar se ato do të përdoren kundër protestuesve.
Përmes një postimi në Facebook, Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po shton masat represive ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë kundër korrupsionit dhe padrejtësive, informon A2CNN.
Sipas Këlliçit, në një video të regjistruar rreth 15 minuta para publikimit të denoncimit, dallohen dy makina ujëhedhëse që kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit.
Postimi i Këlliçit:
“Edi Rama shton masat represive dhe mjetet ushtarake për të sulmuar studentët dhe të rinjtë që janë ngritur kundër korrupsionit dhe padrejtësive. Këto mjete janë makina shurdhuese, të njëjtat që Vuçiç përdori në Beograd kundër të rinjve.
Në këtë video të regjistruar para 15 minutash në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, dallohen 2 makina uji që kanë mbërritur në shërbim të çmendurisë së Kryeministrit më të korruptuar në Europë, për të mbajtur me çdo kusht karrigen.
Është e qartë se Edi Rama ka kaluar në një plan të ri kriminal. Ai nuk po merr masa për të ndalur dhunën, po për të ndalur protestën”.
Burimi: Politika
