Pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro janë sekuestruar në Tiranë, në kuadër të një hetimi pasuror ndaj 51-vjeçarit I. Sh., alias I. P., i dyshuar për përfshirje ndër vite në veprimtari të ndryshme kriminale.
Operacioni i koduar “Dark Capital” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Tiranës.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme në emër të 51-vjeçarit, 6 prona në emër të bashkëshortes së tij, 6 subjekte tregtare, mes tyre biznese që ushtrojnë aktivitet në sektorin farmaceutik, si dhe 8 automjete.
Sipas hetimeve, 51-vjeçari dyshohet se ndër vite është përfshirë në veprimtari kriminale, përfshirë trafikimin e narkotikëve, shfrytëzimin e prostitucionit, rrëmbimin dhe heqjen e paligjshme të lirisë, si dhe përfitimin e mallrave të vjedhura.
Pasuritë e sekuestruara do të kalojnë në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve hetimore.
Njoftimi i plotë:
“Finalizohet operacioni i koduar “DARK CAPITAL”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro, në kuadër të një hetimi pasuror ndaj një shtetasi të dyshuar për veprimtari të ndryshme kriminale.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive të shtetasit I. Sh. alias I. P., 51 vjeç, dhe të personave/subjekteve të lidhura me të, me vlerë mbi 10 milionë euro, konkretisht:
-14 pasuri të paluajtshme;
-6 pasuri të paluajtshme në emër të bashkëshortës së tij, shtetases H. Sh.;
-6 subjekte tregtare, përfshirë biznese që ushtrojnë aktivitet në sektorin farmaceutik;
-8 automjete.
Pasuritë e sekuestruara do të kalojnë në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi I. Sh. alias I. P është përfshirë ndër vite në veprimtari të ndryshme kriminale, si trafikimi i narkotikëve, shfrytëzimi i prostitucionit, rrëmbimi dhe heqja e paligjshme të lirisë, përfitimi i mallrave të vjedhura, etj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”.
