Mes tensioneve në rritje në rajon, po qarkullojnë pretendime se Irani mund të shqyrtojë mundësinë e një sulmi ndaj selisë së të ashtuquajturve “Monafeqin”, term që përdoret nga autoritetet iraniane për Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (MEK), e vendosur në kampin Ashraf-3 në vendin tonë.
Shërbimi për shtyp i Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi në Telegram se veprimet e mundshme lidhen me një strukturë që Teherani e konsideron të përfshirë në “aktivitete armiqësore”.
Sipas mediave të huaja, duke iu referuar sulmeve të fundit të Iranit ndaj objektivave në Qipro, Teherani nuk po e kufizon më veprimtarinë e tij në një hapësirë të caktuar gjeografike kur bëhet fjalë për kundërshtarët, duke sinjalizuar një zgjerim të kapaciteteve operacionale përtej rajonit.
Çfarë është Organizata Muxhahedine e Iranit?
Një kompleks i fortifikuar në fshatin Manzë, pranë Tiranës, shërben si shtëpi për rreth 3 mijë anëtarë të Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (e njohur edhe si Mujahedin-e-Khalq – MEK), duke shënuar një kapitull të ri në historinë mbi 60-vjeçare të këtij grupi kontrovers.
Lëvizja opozitare ka selinë në Shqipëri që prej vitit 2013, kur qeveria jonë pranoi strehimin e anëtarëve të saj me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara. Zhvendosja erdhi pas viteve pasigurie në Irak, ku grupi kishte qenë i vendosur më parë.
E themeluar në vitin 1965, MEK u shfaq si një lëvizje islamike me prirje socialiste kundër sundimit të Shahut Mohammad Reza Pahlavi. Gjatë viteve 1970, ajo kreu sulme të armatosura kundër monarkisë dhe shënjestroi gjithashtu interesa amerikane në Iran.
Organizata fillimisht mbështeti Ruhollah Khomeini dhe Revolucionin Islamik të viteve 1978–1979. Megjithatë, marrëdhëniet me udhëheqjen e re klerikale u përkeqësuan shpejt. Grupi u ndalua, shumë anëtarë u arrestuan ose u detyruan të largoheshin nga vendi, ndërsa organizata vazhdoi aktivitetin opozitar nga mërgimi.
Në vitet 1980, MEK u zhvendos në Irak, ku veproi nga baza të ofruara nga qeveria e Saddam Hussein. Nga territori irakian, organizata ndërmori operacione ushtarake kundër Iranit gjatë luftës Iran-Irak, një veprim që mbetet thellësisht i debatueshëm mes shumë iranianëve dhe ka nxitur pakënaqësi të fortë ndaj saj.
Shtetet e Bashkuara e shpallën MEK-un organizatë terroriste në vitin 1997, për shkak të përfshirjes së saj në akte dhune në të kaluarën. Megjithatë, pas një fushate të gjatë ligjore dhe politike, Departamenti Amerikan i Shtetit e hoqi grupin nga lista e organizatave terroriste në vitin 2012, duke argumentuar se kishte hequr dorë nga dhuna dhe kishte bashkëpunuar në mbylljen e kampeve paraushtarake në Irak.
MEK riktheu vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2002, kur bëri publik ekzistencën e një impianti të padeklaruar për pasurimin e uraniumit në Iran, duke nxitur kontroll më të rreptë ndërkombëtar mbi programin bërthamor të Teheranit.
Pas rrëzimit të Sadam Huseinit në vitin 2003, pozicioni i grupit në Irak u bë gjithnjë e më i pasigurt. Nën presionin e autoriteteve irakiane dhe për shkak të shqetësimeve për sigurinë, anëtarët e tij u transferuan gradualisht jashtë vendit, proces që kulmoi me zhvendosjen përfundimtare në vendin tonë.











