Qarkullimi hekurudhor në Kosovë do të ndërpritet këtë të hënë, më 9 nëntor, për shkak të grevës së paralajmëruar nga punëtorët e Infrakos (Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës), ndërmarrjes publike që menaxhon infrastrukturën hekurudhore të Kosovës, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave.
Ndërmarrja Trainkos ka njoftuar se treni nr. 4201, që niset nga Prishtina në orën 07:50, do të përfundojë udhëtimin në Fushë-Kosovë, pasi Infrakos do të ndërpresë ofrimin e shërbimeve infrastrukturore në orën 08:00, raporton Kosova Press.
Pas këtij orari, të gjitha linjat e tjera hekurudhore do të pezullohen deri në normalizimin e situatës.
Trainkos u ka kërkuar mirëkuptim udhëtarëve, duke bërë të ditur se shërbimet do të rikthehen sapo të krijohen kushtet për rifillimin e qarkullimit.
“Për çdo ndryshim tjetër do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
Greva ishte paralajmëruar më herët nga punëtorët e Infrakos gjatë protestës së 26 tetorit, të zhvilluar para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.
Punonjësit kërkojnë indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë. Ata akuzojnë bordin dhe menaxhimin e ndërmarrjes se nuk kanë përmbushur kërkesat e tyre.
