Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rihapë procesin të dënuarin mbi vrasjen e Komisarit të Policisë, Dritan Lamaj.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se vendimi është marrë në datë 17 shkurt dhe urdhëron rihapjen e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke shfuqizur vendimin e mëparshëm të vitit 2018 të të njëjtës gjykatë.
Sjellim ndërmend se kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua më 14 plumba në 24 shkurt 2013. Për këtë vrasje u arrestua biznesmeni A.B, i cili fillimisht u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në 3 prill të vitit 2015.
Por pasi çështja kaloi në Apel, ai u dënua me burgim të përjetshëm më 29 qershor 2015, pak ditë pasi ai qe larguar nga Shqipëria. Rasti ishte shumë i bujshëm.
Beteja në institucionet e drejtësisë ka vazhduar për vite me radhe, me nënën e të ndjerit, e cila është shprehur se do të shkojë deri në Hagë për të kërkuar drejtësinë nëse shteti shqiptar nuk ia garanton një gjë të tillë.
A.B kishte kërkuar rihapje të procesit gjyqësor dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve të ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Po ashtu kishte kërkuar edhe kthim të çështjes për rigjykim pranë gjykatës kompetente duke urdhëruar rigjykimin me tjetër trup gjykues.










