Janë identifikuar edhe mbetjet mortore të tre personave të “Grupit të Intelektualëve”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është bërë identifikimi i Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti.
Kurti u ka treguar po ashtu se është njoftuar Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, derisa, familjarëve u ka shprehur ngushëllime.
“Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka thënë Kurti.
Në shtator u identifikuan edhe Idriz Rreci, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu pjesë e “Grupit të Intelektualëve”.
Nga gërmimet e korrikut dhe gushtit në tre lokacione në Zubin Potok janë zhvarrosur mbetjet mortore të 23 personave, që dyshohen se u përkasin “Grupit të Intelektualëve të Mitrovicës” të zhdukur me forcë në 1999.
Tre persona po hetohen për rastin nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile.
