E përditshmja italiane Corriere della Sera raporton se, pasi u tha publikisht se emrat e gjashtë burrave “të pasur dhe të fuqishëm” ishin “censuruar pa asnjë shpjegim nga Departamenti i Drejtësisë” në dosjet e çështjes Epstein, deputeti demokrat nga Kalifornia, Ro Khanna, i ka lexuar këta emra me zë të lartë gjatë një seance në Dhomën e Përfaqësuesve.
Mes gjashtë personave të përmendur janë Leslie Wexner, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë Victoria’s Secret, si dhe Sultan Ahmed bin Sulayem, biznesmen nga Emiratet e Bashkuara Arabe e njëkohësisht president i kompanisë DP World. Sipas dokumenteve, Epstein i kishte shkruar këtij të fundit në vitin 2005 me frazën:
Katër emrat e tjerë janë Nicola Caputo, Salvatore Nuara, Zurab Mikeladze dhe Leonic Leonov, persona për të cilët aktualisht nuk ekzistojnë ende informacione të besueshme publike.
“Nëse brenda 2 orësh kemi zbuluar gjashtë burra të fshehur, imagjinoni sa të tjerë mund të jenë të fshehur në ato 3 milionë faqe dokumentesh. Pse po i mbrojmë këta burra të pasur dhe të fuqishëm? Persona që unë i quaj pjesë e ‘Klasës Epstein’”, deklaroi Khanna gjatë fjalës së tij.
Menjëherë pas publikimit të emrave, në rrjetet sociale nisën akuza ndaj Nicola Caputo-s, ish-eurodeputet i Partisë Demokratike italiane nga viti 2014 deri në vitin 2019, duke e lidhur atë me emrin e përmendur në dosje.
I kontaktuar nga agjencia ANSA, politikani italian reagoi duke thënë:
Nuk kam asnjë lidhje me këtë histori, Nicola Caputo që kërkoni nuk jam unë! Në kohën kur datojnë dosjet e Epstein, në vitin 2009, unë isha vetëm këshilltar rajonal dhe nuk kisha asnjë kontakt me Shtetet e Bashkuara. Kam ndërmend të kontaktoj sa më shpejt ambasadën amerikane për të kërkuar sqarime. Sigurisht që nuk do të pranoj linçime mediatike.
Në fund, Corriere thekson se nevojitet kujdes maksimal: vetëm disa nga emrat e përmendur shfaqen edhe në dokumente të tjera dhe për këtë arsye nuk mund të nxirren përfundime të nxituara.
Rasti i Sulayem ishte tashmë i njohur, ndërsa Wexner konsiderohet si miliarderi që ishte mashtruar nga Epstein.
Për katër emrat e tjerë nuk ka aktualisht asnjë element konkret, madje, sipas disa burimeve, Salvatore Nuara mund të jetë një polic në New York, pa lidhje me aferën Epstein.











