Dy shtetas shqiptarë, Aleksandër Çela, 26 vjeç, dhe Denis Horeshka, 30 vjeç, janë dënuar me nga 32 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u zbuluan në një fabrikë kanabisi në qendër të qytetit të Swansea-s.
Gjatë një operacioni policor në një ndërtesë në zonën Strand, autoritetet zbuluan mbi 900 bimë kanabisi, që ishte gati për korrje.
Sipas njoftimit të policisë, dy burrat u arrestuan më 8 maj, gjatë një kontrolli të ushtruar me urdhër-arresti në një ndërtesë në Strand.
Gjatë bastisjes, efektivët zbuluan një aktivitet të konsiderueshëm të kultivimit të kanabisit, ku u sekuestruan më shumë se 900 bimë, së bashku me pajisjet e përdorura për këtë aktivitet.
Çela dhe Horeshka u deklaruan fajtorë për veprën penale të prodhimit të drogës së Klasit B dhe u dënuan me nga 32 muaj burg secili.
Rreshteri Craig Evans, duke komentuar operacionin, deklaroi se përfshirja në tregtinë e paligjshme të drogës sjell pasoja të rënda dhe se aktivitetet e tilla lidhen shpesh edhe me forma të tjera të kriminalitetit.
Ai theksoi gjithashtu se ndërtesa ku kultivohej kanabisi paraqiste rrezik për sigurinë, aq sa efektivët e policisë dhe Ekipi i Mbështetjes Territoriale duhej të siguronin fillimisht ambientet përpara se të hynin për të larguar bimët dhe pajisjet, informon TCH.
“Krimi i drogës vjen me pasoja. Këtu, këto pasoja përfshijnë dërgimin në burg”, u shpreh rreshteri Evans.
Të dy shqiptarët do të vuajnë dënimin prej 32 muajsh burgim për përfshirjen në kultivimin e paligjshëm të kanabisit në Swansea.
