Gjyqtari Ilir Panda do të jetë relatori i çështjes së ish-ministres Belinda Balluku në Gjykatën e Lartë.
Balluku ka bërë rekurs kundër masës së sigurisë “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Kujtojmë se të hënën, Gjykata e Posaçme e Apelit mbajti një seancë për masën e “pezullimit nga detyra”. Pavarësisht se Balluku nuk ushtron më asnjë detyrë në pushtetin ekzekutiv, masa u la në fuqi, ndërsa avokati i saj kërkoi pushimin e çështjes.
Po ditën e djeshme, Partia Socialiste doli me një qëndrim zyrtar mbi çështjen, pas afro 3 muajsh nga kërkesa që Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion i ka bërë Kuvendit të Shqipërisë. Në mbledhjen e grupit parlamentar, u prezantua raporti final i pesë anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve.
Mazhoranca e refuzoi kërkesën e SPAK-ut për masë shtrënguese ndaj ish-ministres.
Foli gjatë e në formë shteruese edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “fajësia apo pafajësia e deputetes përcaktohet vetëm nga procesi gjyqësor”. Inkurajoi Prokurorinë e Posaçme për hetimin, por argumentoi se 16 mijë faqe dosje, janë një “kolpo e bukur propagandistike”.
“Kur nuk ka prova, shkruan prokurori”, theksoi kreu i qeverisë.
Vlen të theksojmë se seanca plenare e 12 marsit pritet të jetë vendimtare për “fatin” e Ballukut, ku Kuvendi do të votojë për kërkesën e SPAK-ut lidhur me hetimet ndaj saj për tenderët e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe, mes përplasjesh të forta politike mes shumicës dhe opozitës.










