Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas një sërë raportimesh për shkelje të pretenduara etike dhe sjellje të papërshtatshme.
Lajmi u bë i ditur të martën nga sekretarja e re e shtypit, Katie Zacharia, gjatë konferencës së saj të parë për mediat.
“Ne i kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen”, deklaroi Zacharia, duke shtuar se ajo kishte qenë një aset i vlefshëm për ekipin dhe se i uronin suksese në vazhdim.
Akuzat për para dhe favore
Largimi i mundshëm i ambasadores vjen pas raportimeve se ajo dyshohet se ka kërkuar para në këmbim të sigurimit të aksesit te zyrtarë të administratës amerikane, përpara konfirmimit të saj në detyrë.
Gjithashtu, ndaj saj janë ngritur pretendime për pranimin e dhuratave luksoze gjatë ushtrimit të funksionit dhe për përfshirjen e një lobisti të lidhur me një kompani greke ndërtimi në takime zyrtare, shjruan CNN.
Eric Deters, një ish-donator i Donald Trump, pretendoi se Guilfoyle i kishte kërkuar, përmes një mesazhi, t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer një detyrim në kartën e saj American Express, në ditët përpara konfirmimit të saj nga Senati.
Sipas Deters, ajo i kishte premtuar se do të ishte një aleate e tij në administratën Trump nëse ai do të kryente pagesën. Ai nuk e kreu transferimin, duke deklaruar se në atë kohë nuk kishte para të disponueshme.
“Pa asnjë dyshim, ishte një marrëveshje shkëmbimi”, deklaroi Deters për CNN.
Megjithatë, avokatët e Guilfoyle i kanë mohuar akuzat. Sipas tyre, Deters i detyrohej asaj para për shërbime konsulence dhe fjalime të kryera më parë. Ata i cilësuan pretendimet e tij si të pavërteta, duke argumentuar se kërkesa për pagesën e detyrimeve të papaguara nuk përbën korrupsion.
Avokatët kanë kundërshtuar gjithashtu raportimet lidhur me udhëtimet e saj, duke deklaruar se Guilfoyle ka respektuar rregullat federale për dhuratat dhe deklarimin e tyre.
Trump: Nuk jemi të kënaqur
Një ditë përpara njoftimit për kërkesën e dorëheqjes, presidenti Donald Trump konfirmoi se po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të ambasadores.
“Po e shqyrtojmë, po. Nuk jemi të kënaqur”, u tha Trump gazetarëve teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë.
Guilfoyle, e cila ishte e fejuar për katër vjet me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit, u betua si ambasadore amerikane në Greqi në shtator të vitit 2025.
Rubio e mbrojti publikisht
Raportimet për pretendimet e një skeme të mundshme ndikimi dolën në publik ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po udhëtonte drejt Greqisë.
Gjatë vizitës në Athinë, Rubio mori pjesë në disa aktivitete së bashku me Guilfoyle dhe e cilësoi atë një “ambasadore të fortë”, duke kundërshtuar pyetjet e gazetarëve për akuzat.
Ai kritikoi mënyrën se si mediat trajtonin informacionet e publikuara, duke theksuar se raportimet e bazuara në burime anonime nuk duhej të konsideroheshin automatikisht si të vërteta.
Ndërkohë, gazeta The Wall Street Journal kishte raportuar më herët edhe për pretendime se Guilfoyle kishte promovuar një kompani greke të energjisë në kuadër të marrëveshjeve rajonale energjetike.
Hetim nga Inspektori i Përgjithshëm
Çështja ka shkaktuar reagime edhe në Kongresin Amerikan. Demokrati Gregory Meeks, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe drejtuesi i demokratëve në Komisionin për Punët e Jashtme, kërkoi që Guilfoyle të dëshmonte përpara komisionit.
Ai theksoi se duhej të përcaktohej nëse ambasadorja kishte kërkuar fonde edhe nga burime të tjera.
Sipas një burimi të njohur me çështjen, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit amerikan të Shtetit ka nisur një hetim lidhur me pretendimet ndaj saj.
Deri më tani, akuzat mbeten pretendime që janë kundërshtuar nga avokatët e Guilfoyle. Hetimi pritet të ndihmojë në përcaktimin e fakteve dhe të përgjegjësive të mundshme në këtë çështje.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
