AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Çfarë duhet të dinë Rama dhe Berisha

by Alb Times
09/11/2026
in Opinion
6
0
Çfarë duhet të dinë Rama dhe Berisha

Foto: Opinion

6
SHARES
304
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Baton Haxhiu

Pas pakteve Alia–Berisha, Nano–Berisha dhe Rama–Berisha, Shqipërisë i duhet pakti Rama–brezi i ri. Për të mbyllur trashëgiminë e Partisë së Punës, ndarë partinë nga kryetari dhe shtetin nga partia

Shqipërisë i duhet një tranzicion i tretë sepse ka ndryshuar më shumë vendin sesa mënyrën si ushtron pushtetin. Ka ndryshuar qytetet, ekonominë, marrëdhënien me botën dhe pritshmëritë e qytetarëve, ndërsa brenda partive vazhdon të mbijetojë bindja se drejtimi është një e drejtë personale. E quaj tranzicionin e fundit që i duhet Shqipërisë, sepse detyra e tij është ta bëjë demokracinë të funksionojë edhe përtej vullnetit të njerëzve që pretendojnë se e kanë ndërtuar.

Në qendër të kësaj historie janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. PS-ja është trashëgimtare organizative e Partisë së Punës, ndërsa PD-ja lindi si kundërshtare e saj me njerezit e Partisë së Punës edhe si shpresë për shkëputje. Megjithatë, të dyja dolën nga e njëjta shoqëri politike, ku drejtuesi vendoste, struktura zbatonte dhe kundërshtimi rrezikonte të të përjashtonte. Në këtë kuptim, trashëgimia e Partisë së Punës duhet kërkuar edhe te mënyra si organizohet pushteti brenda atyre që e kanë dënuar atë.

Partia e Punës la pas një mësim që rezultoi më jetëgjatë se ideologjia e saj. Karriera kalon përmes besimit të drejtuesit, institucioni duhet t’i shërbejë vijës politike dhe pakënaqësia brenda familjes mbahet e fshehtë. Kur ky mësim mbetet në fuqi, emrat e rinj dhe fjalori evropian mund të bashkëjetojnë pa vështirësi me një mënyrë të vjetër sundimi.

Prandaj kujtesa e atij regjimi jeton edhe në sjellje që nuk kanë më nevojë për bindje komuniste. Jeton te deputeti që mendon fillimisht për vendin në listë, te administratori që pret sinjalin politik dhe te anëtari që e di se kritika mund t’i kushtojë karrierën. Kjo mendësi riprodhohet sepse shpërblen bindjen dhe e bën pavarësinë të kushtueshme. Njerëzit mund të ndërrohen, ndërsa rregulli që i përzgjedh mbetet.

Tranzicioni i parë, më 1990–1991, çliroi shqiptarët nga monopoli politik. Ai u dha të drejtën të zgjidhnin, të lëviznin, të krijonin pronë dhe ta kundërshtonin pushtetin. Por liria erdhi përpara institucioneve që duhej ta mbronin. Qytetari fitoi mundësi të reja, ndërsa shteti mbeti për një kohë të gjatë i paaftë t’u jepte atyre siguri dhe rregull.

Ndërtimi kaotik e shprehu qartë këtë marrëdhënie. Familjet që lëvizën drejt qyteteve kërkuan vetë zgjidhjen për strehim, shpesh jashtë planifikimit dhe lejes. Më pas, shtëpia e ndërtuar me mundin e tyre mbeti në pritje të legalizimit, rrugës, ujit dhe ndërmjetësimit politik. Kështu, prona që duhej ta bënte qytetarin më të pavarur mund ta kthente përsëri në kërkues të favorizimit shtetëror.

Pastaj erdhi viti 1997. Shembja e skemave piramidale, dhuna e armatosur dhe shpërbërja e autoritetit shtetëror treguan sa e pambrojtur ishte liria pa institucione të besueshme. Tranzicioni i dytë u bë përpjekja për ta rikthyer shtetin në këmbë. Siguria dhe stabiliteti ishin nevoja jetike, por me to u forcua edhe zakoni që krizat të zgjidheshin nga marrëveshja mes kryetarëve.

Në këtë rrugë dallohen tri nyje, Alia–Berisha, Nano–Berisha dhe Berisha–Rama. Ato nuk kanë të njëjtën natyrë. Alia dhe Berisha personifikojnë kalimin mes dy epokave, pa e shpjeguar dot vetë atë. Rënia e regjimit kishte brenda studentët, protestat, grevat dhe krizën ekonomike. Ta paraqesësh si marrëveshje të dy njerëzve do të ishte t’ua hiqje shqiptarëve rolin në ndryshimin e tyre.

Ndërsa afrimi Nano–Berisha, i dokumentuar edhe në protokollin e vitit 2002 për reformën zgjedhore, synonte daljen nga përplasja e vazhdueshme. Ai kishte vlerë për stabilitetin, por forconte edhe pritshmërinë se institucionet do të funksiononin kur të merreshin vesh dy drejtuesit. Më 2008, konsensusi Berisha–Rama shkoi te rregullat kushtetuese dhe zgjedhore, duke adresuar probleme reale dhe njëkohësisht duke forcuar peshën e partive të mëdha në konkurrencë.

Këtu qëndron kufiri demokratik i këtyre përvojave. Marrëveshja duhet të krijojë hapësirë edhe për njerëzit që nuk ulen në tryezë. Përndryshe, kryetarët mund ta qetësojnë konfliktin mes tyre duke e mbajtur shoqërinë jashtë vendimmarrjes. Kujtesa e Partisë së Punës shfaqet pikërisht kur vendimi i marrë lart i paraqitet vendit si e vetmja zgjidhje e mundshme.

Ndërkohë, Shqipëria ndryshonte edhe përmes territorit të saj. Me Ramën në Bashkinë e Tiranës më 2000, modernizimi urban u bë identitet politik. Ndërhyrja në hapësirën publike dhe ndryshimi i pamjes së qytetit krijuan një autoritet të mbështetur te rezultati i dukshëm. Pas vitit 2013, ky pretendim mori përmasa kombëtare. Rama fitoi forcë politike nga aftësia për ta lidhur emrin e vet me ndryshimin.

Rreth vitit 2018 do të vendosja, si ndarje analitike, kalimin drejt një rrëfimi më të gjerë zhvillimi. Investimet, turizmi dhe rritja e vlerës së territorit morën peshë më të madhe. Periudhat mbivendosen, por dallimi ndihmon për ta kuptuar qeverisjen. Pas premtimit për ta rregulluar vendin, erdhi premtimi për ta bërë më të pasur.

Megjithatë, zhvillimi e shton detyrimin për të shpjeguar kush përfiton dhe si vendoset. Në fillim të tranzicionit problemi ishte ndërtimi pa leje. Më vonë, pyetja u bë se kujt i jepet leja dhe mbi çfarë kriteresh. Një shtet mund ta formalizojë vendimmarrjen duke ruajtur brenda saj privilegjin. Atëherë favori merr dokument, ndërsa qytetari vazhdon të kërkojë ndërmjetësin.

Pikërisht këtu modernizimi dhe zhvillimi mbërrijnë te kufiri që vetëm demokratizimi mund ta kapërcejë. Shoqëria e ndryshuar kërkon të marrë pjesë në vendim. Arritjet e qeverisjes krijojnë argumente për të kërkuar një mandat tjetër, por nuk krijojnë të drejtë pronësie mbi të ardhmen. Kujtesa autoritare fillon kur drejtuesi e trajton kundërshtimin e sotëm si mosmirënjohje për punën e djeshme.

Shqipëria e ka demokracinë shumë të pranishme në diskurs. Në televizione kundërshtohet gjithçka dhe gjuha politike shpesh nuk njeh kufij. Por demokracia në procedurë provohet kur kundërshtimi kërkon të bëhet kandidaturë, kur një anëtar konkurron pa lejen e kryetarit dhe kur një vendim publik mund të ndalet përmes kontrollit institucional. Liria për të folur duhet të ketë rrugë për t’u shndërruar në ndikim.

Përfaqësimi dobësohet kur karriera e deputetit varet më shumë nga drejtuesi sesa nga zgjedhësi. Administrata politizohet kur nëpunësi duhet ta ruajë vendin e punës përmes besnikërisë. Ndërsa korrupsioni bëhet problem i vetë organizimit të pushtetit kur afërsia shkurton rrugën drejt kontratës, lejes dhe vendimit. Këto marrëdhënie e mbajnë gjallë mendësinë e vjetër edhe në një ekonomi krejt tjetër.

Reforma e drejtësisë më 2016 dhe ngritja e SPAK-ut më 2019 krijuan një ndryshim të rëndësishëm në këtë raport. Prandaj nuk mund të flasim sikur drejtësia ka mbetur e pareformuar. Por pavarësia e saj kërkon prova, arsyetim dhe garanci për të drejtat, ndërsa partitë kanë detyrën të prodhojnë vetë llogaridhënie. Nëse ripërtëritja e tyre ndodh vetëm pasi ndërhyn prokuroria, demokracia brenda tyre ka dështuar përpara se të fillojë procesi penal.

Në këtë histori, përplasja Rama–Veliaj merr një kuptim më të gjerë. Tirana është vendi ku modernizimi i Ramës u bë autoritet politik dhe ku Veliaj ndërtoi profilin e vazhduesit. Konflikti i tyre e bën të dukshme vështirësinë e një modeli që di të ngrejë njerëz përmes besimit personal, por has krizë kur duhet të përcaktojë kufijtë e autoritetit të tyre.

Pretendimet për bisedën në burg mbeten të kundërshtuara. Ajo që ka rëndësi për këtë analizë është rreziku që drejtimi i Tiranës të trajtohet si marrëveshje mes dy njerëzve. Qyteti ka nevojë për administrim dhe përfaqësim, ndërsa çdo përgjegjësi penale duhet të provohet individualisht. Për PS-në, kthimi i kësaj përplasjeje në provë besnikërie ndaj Ramës do ta linte pa përgjigje pjesën institucionale të problemit.

Këtu Rama duhet të kuptojë se autoriteti që ndërtoi ndryshimin nuk mjafton për ta administruar pafundësisht shoqërinë e ndryshuar. Ndërrimi i ministrave dhe promovimi i emrave të rinj kanë vlerë vetëm nëse hapin edhe vendimmarrjen. Përndryshe, rinovohen fytyrat dhe ruhet varësia. Një parti mund të duket gjithnjë më e re, ndërsa sillet gjithnjë e më shumë si organizata e një njeriu.

Ndërsa Berisha duhet të kuptojë se qëndrimi në opozitë nuk e bën vetvetiu demokratike mënyrën si drejtohet një parti. Kundërshtimi i përqendrimit të pushtetit te Rama kërkon besueshmëri edhe brenda PD-së. Nëse çdo rrugë politike përfundon përsëri te i njëjti drejtues, opozita riprodhon marrëdhënien që premton ta ndryshojë në qeverisje.

Të dyja partitë duhet të dalin nga detyrimi për ta jetuar të tashmen përmes kujtesës së kryetarit. Historia e tij është pjesë e historisë së tyre, por nuk mund të jetë kufiri i së ardhmes. Brezat e rinj nuk kanë detyrim të trashëgojnë besnikëritë, armiqësitë dhe borxhet politike të prindërve. Kanë të drejtë të përfaqësohen për problemet që jetojnë vetë.

Prandaj tranzicioni i tretë kërkon ndryshime që prekin mënyrën si prodhohet pushteti. Kandidaturat duhet të dalin nga konkurrenca reale, financimi politik duhet të bëhet i kontrollueshëm dhe administrata të mbrohet nga përdorimi partiak. Kryetari duhet të mund të humbasë një votim brenda partisë pa e trajtuar fituesin si armik. Vetëm kështu kundërshtimi fiton të drejtë të jetojë brenda organizatës.

Në qeverisje, kjo do të thotë që vendimi të arsyetohet, shpenzimi të kontrollohet dhe ligji të mbrojë edhe njeriun pa ndërmjetës. Zgjedhjet duhet të hapin mundësinë e ndryshimit në kushte të barabarta. Ndërsa drejtësia duhet të kontrollojë pushtetin duke iu nënshtruar vetë ligjit dhe garancive të procesit. Këto janë mënyrat konkrete për ta shkëputur shtetin nga pronësia politike.

Në vitet e para shqiptarët kërkuan të dilnin nga kontrolli i shtetit. Pas vitit 1997 kërkuan që shteti të funksiononte përsëri. Sot duhet të kërkojnë që shteti funksional t’u japë llogari dhe që partitë t’u shërbejnë për t’u përfaqësuar.

Për ta mbyllur këtë histori, duhet ta vrasim modelin e Partisë së Punës brenda partive shqiptare. Në këtë lexim politik të historisë, tri paktet e tranzicionit mbajnë emrat Alia–Berisha, Nano–Berisha dhe Rama–Berisha. I pari përmbledh simbolikisht kalimin nga regjimi i vjetër te pluralizmi, ndërsa dy të tjerët lidhen me marrëveshje konkrete mes drejtuesve. Ato shënuan ndryshime të rëndësishme, por nuk e mbyllën trashëgiminë e një politike ku e ardhmja përcaktohet nga mirëkuptimi mes njerëzve në krye.

Rama e reformoi PS-në, ndryshoi fytyrat, gjuhën dhe ambicien e saj qeverisëse. Por reforma nuk shkoi aq larg sa ta shkëpuste partinë nga varësia prej drejtuesit. Pikërisht këtu mbetet gjallë Partia e Punës si mendësi. Organizata pret vendimin e kryetarit dhe brezi i ri mëson se rruga për t’u ngritur kalon përmes besnikërisë ndaj tij.

Për këtë arsye, pakti i katërt duhet të jetë mes Ramës dhe brezit të ri. Ai duhet t’u hapë rrugë njerëzve që hyjnë në politikë me bindjet, përvojën dhe përfaqësimin e tyre. Vlera e kësaj marrëveshjeje do të matet me pushtetin që Rama pranon të ndajë, me konkurrencën që lejon dhe me pavarësinë që u njeh atyre që do të vijnë pas tij. Emërimi i disa të rinjve besnikë do ta vazhdonte të njëjtën histori.

Këtu duhet të mbyllet trashëgimia e Partisë së Punës. Historia e saj duhet të mbahet mend, ndërsa mënyra e saj e komandimit duhet të humbasë pushtetin mbi të tashmen. Pakti me brezin e ri ka kuptim nëse i jep atij lirinë të zgjedhë edhe kundër Ramës. Pikërisht atëherë Rama do të kishte ndihmuar ta vriste modelin që ndryshoi emra, por vazhdoi të drejtonte partitë shqiptare.

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Kufizimet për gazetarët në GJKKO, Kushtetuesja pranon për shqyrtim kërkesën e AGSH-së për shfuqizimin e Rregullores!

09/11/2026

Rama njofton skemën e re të “Bonusit të Bebes”: Mbështetje financiare deri në 10 mijë lekë çdo muaj për 5 vite me radhë!

09/11/2026

‘Luftë’ e re në BE, Marine Le Pen kërkon “eliminimin politik” të Kaja Kallas!

09/11/2026

Policia Rrugore shton masat, ministri Demo: Koha e qytetarëve ka vlerë! Masa të shtuara për lehtësimin e trafikut në Tiranë (VIDEO)

09/11/2026

“Nevojitet kontributi i të gjithëve”- Ambasadorja e BE i dorëzon Hoxhës progres-raportin: Shqipëria, e aftë të përmbushë angazhimet e saj!

09/11/2026

Lufta për pushtet është shkaku që ua nxijnë jetën qytetarëve?

09/11/2026

Kancelari Merz shpall Ilse Aigner si kandidate për presidente federale: Me të Gjermania fiton vlerë, karizëm, sharm dhe zemër!

09/11/2026

Begaj dhe Mattarella presin kryetarët e komunave arbëreshe në Quirinale: Arbëreshët, themeli i vëllazërisë shqiptaro-italiane

09/11/2026

Hapet në Makao forumi ndërkombëtar për shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve 2026

09/11/2026

Ankimuan ministren “Diella”, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e 39 deputetëve të Opozitës! PD kërkoi shfuqizimin e dekreteve

09/11/2026

Bisedimet në Abu Dhabi, Rusia: Çështjet e sigurisë janë në fokus, e mirëpresim qëndrimin e SHBA-ve!

09/11/2026

Buxheti 2027 nuk ndryshon, PD: Ekonomia në rënie! Ibrahimaj: E shihni gotën gjysmë bosh!

09/11/2026

Nis faza e dytë e Reformës Territoriale, Mazniku pas bojkotit të opozitës në Komision: Ftesa për PD-në është e hapur, t’i bashkohet procesit!

09/11/2026

Faza e dytë e Territoriales, PS shton në Komision deputetë të Doshit dhe Shehajt, mbeten jashtë Lapaj e Qorri!

09/11/2026

“Mos u habisni kur…”- PD braktisi mbledhjen, PS i vendos afate PD për Reformën Zgjedhore! Balla: Pas 30 nëntorit i çojmë propozimet në Kuvend

09/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Kufizimet për gazetarët në GJKKO, Kushtetuesja pranon për shqyrtim kërkesën e AGSH-së për shfuqizimin e Rregullores!
  • Rama njofton skemën e re të “Bonusit të Bebes”: Mbështetje financiare deri në 10 mijë lekë çdo muaj për 5 vite me radhë!

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.