Nga Marenglen Kasmi
Kisha ditë që mëdyshesha nëse duhej ta shkruaja apo jo këtë artikull. Për dy arsye, kryesisht. Së pari, pasi mendoj se kritika duhet të jetë e matur.
E sidomos në këtë katrahurën tonë, ku shpesh ose nuk kuptohet qëllimi i saj, ose ajo merret si ndërhyrje në punët e tjetrit. Së dyti, kur një shkrimtar merr lëndë nga historia, kufiri ndërmjet lirisë së krijimit letrar dhe përgjegjësisë ndaj së vërtetës historike nuk është gjithmonë i lehtë për t’u përcaktuar.
Por mëdyshja ime mori fund sot, kur lexova një status të Ben Blushit në Facebook, ku ai ofronte një shpjegim për origjinën e emrit të Tiranës. Sipas tij, emri vjen nga fjala tiran, që na qenkësh pellazge, ndërsa tirani i parë paska jetuar disa mijëra vjet më parë në territorin e qytetit të sotëm. Për të njohur argumentet që e kishin çuar në këtë përfundim, na ftonte të lexonim romanin e tij, që gjendet në çdo librari.
Në intervistat e shumta, Blushi si fillim na kërkoi ta shihnim librin e tij “Histori të çmendura të Tiranës” si trillim letrar, ndërsa tani na e rekomandon si burim për të mësuar historinë e Tiranës. Pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja pse vendosa të shkruaj, duke qëndruar natyrisht te «këpuca» ime, ajo e historianit.
Nuk e përjashtoj mundësinë që e gjithë kjo të jetë një provokim i menduar mirë. Blushi e njeh mjaftueshëm botën e medias për ta ditur se histori të tilla ngjallin debat dhe kundërshtimet mund t’i shërbejnë reklamës së një libri. Madje, ndoshta ai synon pikërisht këtë. Edhe nëse është kështu, kjo nuk e ndryshon thelbin e problemit. Nëse provokimi është pjesë e lojës letrare, nuk përbën asnjë problem. Por nëse trillimi del nga faqet e romanit dhe paraqitet publikisht si e vërtetë historike, nuk mund të kërkohet që të gjithë ta pranojnë si një lojë të pafajshme. Aq më pak që historianët të heshtin, vetëm për të mos i bërë reklamë autorit. Mendoj se problemi nuk është vetëm çfarë thotë ai, por edhe lehtësia me të cilën një trillim mund të marrë statusin e një të vërtete historike në debatin tonë publik.
Në intervistat promovuese, Blushi e ka paraqitur librin si një rrëfim të katër shekujve të historisë së Tiranës, përmes 38 historive dhe rreth 100 personazheve. Ai e quan roman, madje «trill historik», ndërsa në një intervistë për ExLibris shpjegon se ka marrë ngjarje dhe personazhe reale, duke përdorur imagjinatën për të rindërtuar ato pjesë të së kaluarës që dokumentet nuk i ndriçojnë. Por, në të njëjtën intervistë, deklaron se historitë «janë të gjitha të vërteta» dhe e përshkruan mënyrën e tij të punës si «fakte të marinuara me fantazi».
Këtu lind problemi. Letërsia me subjekt historik nuk është historiografi. Shkrimtari ka të drejtë të marrë personazhe reale, t’i vendosë në situata të imagjinuara, të shpikë dialogë, marrëdhënie dhe ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë. Madje, pikërisht përmes kësaj lirie mund të krijojë një vepër të mirë letrare. Një roman mund të na bëjë të përjetojmë atmosferën e një epoke, të kuptojmë dilemat e njerëzve të saj, të shohim ndryshe një personazh historik apo të vëmë në dyshim mitet e së kaluarës.
Por çfarë ndodh kur shkrimtari del jashtë romanit dhe na thotë se ngjarjet e rrëfyera janë të vërteta? Në atë çast, nuk kemi më të bëjmë vetëm me lirinë e krijimit letrar. Kemi një pohim historik, i cili kërkon dëshmi. Blushi nuk pretendon se ka shkruar një studim historik. Përkundrazi, ai këmbëngul se ka shkruar letërsi. Megjithatë, përmes intervistave dhe statuseve publike, ai i jep romanit edhe një funksion tjetër: të zbulojë ngjarje të panjohura dhe të shpjegojë historinë e Tiranës. Kështu, pa marrë përsipër përgjegjësinë e historianit, ai kërkon të përfitojë nga autoriteti i historisë. Problemi është se nuk mund të përdorësh imagjinatën si provë historike dhe kur të kërkohen provat, të strehohesh pas lirisë së shkrimtarit. Kësaj, siç thotë populli, i thonë «po ia fut si kau pelës».
Ndër historitë që Blushi rrëfente në një studio, ajo që më la me gojë hapur ishte historia e Albert Ajnshtajnit dhe e pasaportës shqiptare. Kur Gjermania pushtoi (në fakt aneksoi) Austrinë, Ajnshtajnit i rekomanduan disa miq të tij të lidhej me një mjek shqiptar, Jani Basho, i cili mund ta ndihmonte për të gjetur një pasaportë shqiptare e të largohej nga Austria. Kështu që shkencëtari i famshëm erdhi në Tiranë, qëndroi në ndërtesën që sot njihet si Shtëpia me Gjethe dhe mori nga Ahmet Zogu një pasaportë shqiptare për t’u larguar drejt Amerikës.
Historia është tërheqëse. Ka brenda një shkencëtar gjenial, një mbret shqiptar, nazistët dhe një operacion shpëtimi që përfundon në Amerikë. Do të ishte një subjekt i shkëlqyer për roman. Problemi qëndron në faktin se kjo histori bie ndesh me faktet e dokumentuara të jetës së Ajnshtajnit.
Së pari, Ajnshtajni nuk ishte një hebre gjerman që kishte mbetur pa shtetësi dhe kërkonte dëshpërimisht një pasaportë për t’u larguar nga Europa. Ai ishte shtetas zviceran që prej vitit 1901 dhe e ruajti këtë shtetësi gjatë gjithë jetës. Prandaj pretendimi se shkencëtari kishte nevojë për një pasaportë shqiptare për të udhëtuar drejt Amerikës nuk mbështetet në rrethanat e njohura të jetës së tij.
Së dyti, udhëtimet e Ajnshtajnit në fillim të viteve 1930 janë të dokumentuara. Në dhjetor 1932 ai u nis drejt Shteteve të Bashkuara. Kur Hitleri erdhi në pushtet, në janar 1933, Ajnshtajni ndodhej në Amerikë. Në mars të atij viti u kthye në Europë, ku hoqi dorë nga lidhjet institucionale me Gjermaninë naziste. Më pas, në tetor 1933, u vendos përfundimisht në Shtetet e Bashkuara. Biografitë e njohura të shkencëtarit e ndjekin me hollësi këtë periudhë, pa regjistruar ndonjë udhëtim në Shqipëri.
Por historia merr përmasa të çmendura kur autori bën lëmsh kontekstet kohore. Austria u aneksua nga Gjermania në mars 1938, ndërkohë që Ajnshtajni ishte vendosur në Amerikë që në tetor 1933. Pra, Blushi e nis Ajnshtajnin drejt Amerikës pesë vjet pasi ai kishte mbërritur atje! Dhe gjithë kjo përmes një pasaporte shqiptare, për të cilën nuk ka asnjë dëshmi të verifikueshme. Për më tepër, Ajnshtajni nuk ishte austriak, sikurse thotë Blushi.
Po kaq e vërtetë është se shkrimtari Blushi mund ta sjellë Ajnshtajnin e këdo tjetër në Tiranë, ta akomodojë disa netë në spitalin gjinekologjik të Bashos, a thua se fizikanti i madh kishte ardhur për të kryer fshehurazi një abort. Mund ta ulë pastaj në një tryezë me Ahmet Zogun, ku të dy shijojnë nja dy zogj Mati, të pjekur plot dashuri nga Nana Mretneshë, të shoqëruar me raki e verë Miloti. Në fund, mbreti mund t’i japë Albertit edhe një pasaportë shqiptare, bashkë me urimet më të përzemërta për një udhëtim të mbarë drejt Amerikës.
Të gjitha këto e shumë të tjera mund të ndodhin fare mirë në një roman. Askush nuk mund t’ia ndalojë Blushit. Por kur del në televizion e rrjete sociale dhe na bën thirrje se duhet të lexojmë librin e tij për të mësuar disa të vërteta, atëherë ai nuk po bën më thjesht letërsi. Po bën pohime historike, të cilat duhen provuar.
Historia nuk është pronë e historianëve. Çdokush ka të drejtë të merret me të, të shkruajë dhe të propozojë interpretime të reja. Por askush nuk mund të pretendojë se ka zbuluar një të vërtetë historike pa qenë i gatshëm të tregojë mbi çfarë burimesh dhe argumentesh mbështetet. Thjesht duke thënë se unë mendoj se ka qenë kështu apo ashtu, nuk është provë historike. Edhe kur e thotë Ben Blushi.
Këtu lind edhe një pyetje tjetër: a do të bëhej gjithë kjo zhurmë për këtë libër, nëse autori nuk do të ishte një emër i njohur? Po sikur të njëjtin libër ta kishte shkruar një mësues letërsie nga një qytet i vogël, apo një ish-oficer i kohës së Xhaxhit që, mes shërbimeve dhe orëve të gjata në repart, kishte gjetur kohë të lexonte e të shkruante? A do të kishte pasur të njëjtën vëmendje mediatike, të njëjtat intervista, të njëjtën reklamë dhe të njëjtin entuziazëm? Vështirë të besohet. Me shumë gjasa do të ishte quajtur një libër me budallallëqe. Dhe, për hir të së vërtetës, ka boll të tillë në treg.
Në Shqipëri botimi i librave rrallë shoqërohet me përzgjedhje serioze editoriale. Po ashtu, mezi dëgjohet kritika letrare e pavarur. Prandaj nuk përbën aspak çudi që autorë të talentuar mbeten në hije, ndërsa emrat e njohur zënë skenën, pavarësisht vlerës së asaj që shkruajnë. Problemi nuk është vëmendja që merr Blushi, por mënyra se si ajo rrezikon të shndërrohet në autoritet intelektual të pakontestuar. Kësisoj, reklama zëvendëson gjykimin kritik dhe një histori e treguar bukur mund të pranohet si e vërtetë vetëm sepse e ka treguar një emër i njohur.
Në fund, çështja nuk është nëse Blushi ka shkruar një roman të mirë apo të keq. Çështja është se liria e romancierit për të trilluar nuk mund të shërbejë njëkohësisht si argument për vërtetësinë historike të rrëfimit të tij. Historia e Tiranës ka nevojë për kërkime, dokumente dhe interpretime të reja, jo për ngjarje të imagjinuara që paraqiten si zbulime historike.
Letërsia mund ta pasurojë mënyrën se si e përfytyrojmë të kaluarën, por nuk mund të plotësojë me trillime atë që ende nuk e dimë për të.
Historia nuk banalizohet vetëm nga ata që e tregojnë pa u mbështetur në burime, por edhe nga ata që i përsërisin këto rrëfime pa i vënë në dyshim. Po jetojmë në një kohë, kur deklaratat e bujshme shpesh vlejnë më shumë se dokumentet dhe faktet historike. Ndaj historianët nuk mund të rrinë si spektatorë. Ata kanë përgjegjësinë të ndërhyjnë, jo për të pretenduar ndonjë monopol mbi të kaluarën, por për të mbrojtur mënyrën se si kërkohet dhe argumentohet e vërteta historike.
Prandaj, Blush, boll të ngatërruar e kemi historinë. Mos na e çmend tani!
