Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara në Muscat të Omanit, kanë përfunduar pa një marrëveshje konkrete, por me sinjale për vazhdimin e dialogut.
Mediat shtetërore iraniane raportojnë se palët kanë shprehur “gatishmëri për të vazhduar” negociatat në një moment tjetër.
Sipas agjencisë IRNA dhe Tasnim, delegacionet iraniane dhe amerikane shkëmbyen gjatë gjithë ditës pikëpamje dhe qëndrime përmes ndërmjetësimit të ministrit të Jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi, pa u përcaktuar një datë për raundin e radhës.
Delegacionin iranian e drejtoi ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa SHBA-të u përfaqësuan nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, dhe i dërguari special Steve Witkoff. Në bisedime ishte i pranishëm edhe komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, admirali Brad Cooper.
Takimi në Muscat shihet si një përpjekje për të mbajtur të hapur kanalet diplomatike mes dy vendeve, mes tensioneve të vazhdueshme dhe mungesës së marrëdhënieve zyrtare direkte.











