Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka qenë sot në Dibër në kuadër të Foltores së Ripërtëritjes. Në fjalën e tij, ai komentoi protestën studentore përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Berisha theksoi se të rinjtë u trajtuan nga policia në mënyrë çnjerëzore dhe barbare. Kryedemokrati deklaroi se studentët u rikthyen pas 8 vitesh nga protesta masive përpara ministrisë, duke shtuar se ata po i kthejnë reston kryeministrit Edi Rama për mashtrimin e atëhershëm të bërë ndaj tyre.
“Sot studentët e universitetit të Tiranës kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, dhe janë trajtuar në mënyrën më çnjerëzore që mund të trajtohen. Janë trajtuar në një mënyrë barbare. Shumë qytetarë janë bashkuar me ta dhe protesta e tyre vazhdon.
PD mbështet fuqishëm protestën studentore dhe garanton studentët dhe pedagogë të Universitetit se ajo do të qëndrojë së bashku me ta dhe qytetarët e Tiranës gjer në largimin e këtij regjimi. Protesta e studentëve ka një domethënie shumë të madhe, studentët u rikthyen edhe njëherë aty ku ishin 8 vite më parë për t’i dhënë reston të mashtrimit të turpshëm të Ramës ndaj tyre.
Ndaj edhe kjo protestë, megjithë protestën që vazhdon prej 150 ditësh, janë qëndrimet më të vendosura ndaj këtij regjimi dhe PD i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë me të gjithë potencialet e saj”, tha Berisha.
Burimi: Politika
