Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas alarmit të rremë për një sulm terrorist në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë, ngjarje që ndodhi mëngjesin e 14 shtatorit, në ditën e parë të nisjes së mësimit.
Koçiu e ka dënuar ashpër ngjarjen, për të cilën është arrestuar edhe autori përgjegjës, duke theksuar se një alarm i tillë, në një moment kur shkollat janë të mbushura me fëmijë, nuk mund të konsiderohet një shaka apo një veprim i pamatur.
“Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale”, shkruan Koçiu.
Zv.kryeministrja e ka lidhur ngjarjen edhe me debatin mbi lirinë e shprehjes, duke kritikuar ato që i cilëson si sjellje që kalojnë kufijtë e ligjshmërisë dhe krijojnë panik te qytetarët.
“Kjo lloj çmendurie që shpesh tolerohet nën alibinë e një ‘lirie’ pa fre, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e vërtetë”, shprehet ajo.
Koçiu kërkon që ndaj personave që ndërmarrin veprime të tilla të ketë një reagim të shpejtë të ligjit, duke argumentuar se hapësira publike nuk mund të përdoret për të krijuar panik apo për të vënë në provë sigurinë e qytetarëve.
“Këtyre që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura. Refuzimi i këtyre sjelljeve anormale duhet të jetë qëndrim i të gjithë shoqërisë”, shkruan Koçiu.
Gjatë ditës së sotme u arrestua një 47-vjeçar, me iniciale M. J., i dyshuar për dhënien e alarmit të rremë. Sipas autoriteteve, rreth orës 06:30, ai ka telefonuar Policinë e Tiranës duke pretenduar se në një shkollë 9-vjeçare kishte terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë.
Pas sinjalizimit, në shkollë shkuan shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror, të cilat kryen kontrollet e nevojshme. Nga verifikimet rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe se nuk kishte lëndë të rrezikshme.
Hetimi zbuloi gjithashtu se 47-vjeçari dyshohet se e kishte publikuar informacionin e rremë edhe në rrjetet sociale.
M. J. akuzohet për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
