Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor Hashim Thaçin për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë.
Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj tij një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.
Gjykatësi Christopher Gosnell ka nisur leximin e përmbledhjes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkakuzuarve të tij, në rastin që lidhet me pengimin e drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjatë seancës, gjykatësi shpjegoi akuzat ndaj Thaçit dhe të bashkakuzuarve, të cilët, sipas aktakuzës, dyshohet se kishin bashkërenduar veprimet me qëllim pengimin e zyrtarëve në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Sipas përmbledhjes së paraqitur nga Gosnell, Thaçi akuzohet se kishte organizuar tri grupe, në të cilat përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, me qëllim të ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve.
Prokuroria pretendon se Thaçi kishte vepruar si drejtues ose organizator i këtyre grupeve dhe se gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë u kishte zbuluar vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët.
Gjykatësi bëri të ditur gjithashtu se gjykata ka pranuar 241 prova materiale të paraqitura nga Prokuroria. Në mesin e tyre janë edhe audioincizimet e bisedave ndërmjet Thaçit dhe të bashkakuzuarve gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Sipas Gosnellit, regjistrimi i këtyre bisedave ishte autorizuar nga gjykata.

Akuzat për pengim të drejtësisë, Haga shpall sot aktgjykimin ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin sot, më 17 nëntor, aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër personave të tjerë, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Përveç Thaçit, në këtë proces janë të përfshirë edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarët e procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në qendër të përplasjes mes palëve janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në paraburgim.
Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në të cilin Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dënuar me 81 vite burg në total.
