Buxheti i vitit 2027 për bujqësinë parashikon një fond prej 18 miliardë lekësh, me një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2026. Zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari, në një intervistë për RTSH, bëri të ditur se prioritetet kryesore do të jenë zhvillimi rural, ujitja dhe kullimi, si dhe siguria ushqimore.
Sipas zëvendësministrit rreth 8.4 miliardë lekë do të shkojnë për zhvillimin rural dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve.
Jaupllari theksoi se synimi është kalimi nga fermat e fragmentuara drejt fermave më të mëdha, më të organizuara dhe të orientuara drejt tregut.
Dy masat kryesore të skemës së mbështetjes do të vijojnë të jenë subvencionimi për krerë dhe mbështetja për sipërfaqe. Sipas tij, këto masa synojnë të rrisin prodhimin, cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare, ndërsa kriteret do të orientohen gradualisht drejt standardeve të Bashkimit Europian.
“Buxheti i vitit 2027 është një buxhet me një rritje 10% krahasuar me buxhetin e vitit 2026. Pra, shkon në 18 miliardë lekë dhe sipas ndarjeve prioritetet kryesore janë tre: bujqësia dhe zhvillimi rural, ujitja dhe kullimi, dhe e treta është siguria ushqimore. Po t’i referohemi zhvillimit rural, kap shifrën e 8.4 miliardë lekëve ose pothuajse gjysmën e buxhetit”, tha ai.
Sa i përket uljes së kostove për fermerët, Jaupllari përmendi tre masa kryesore, uljen e çmimit të naftës me 32 lekë për litër, TVSH-në 6% për ushqimet e shportës dhe rimbursimin me 10% të faturës për fermerët që shesin prodhimet e tyre përmes subjekteve të formalizuara.
“Tre janë masat kryesore për uljen e kostos për fermerët tanë. E para, ulja e çmimit të naftës me 32 lekë për litër. E dyta është ulja e TVSH-së për ushqimet e shportës me 6% dhe e treta është rimbursimi me 10% i faturës për të gjithë ata fermerë që shesin prodhimet e tyre te grumbulluesit, përpunuesit dhe të tjerë”, tha zëvendësministri.
Një tjetër çështje e rëndësishme mbetet numri i ulët i fermerëve që aplikojnë për skemat kombëtare. Ai u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë dhe të informohen pranë strukturave në terren dhe pushtetit vendor.
“Ne nuk e kemi dizajnuar ende skemën e vitit 2027, por besoj se do të mbajë në themel këto parime dhe mund të shtohen edhe elementë të tjerë, sipas dëgjesave që do të bëhen dhe eksperiencës së vitit të kaluar, për masat e reja që fermerët mund të kërkojnë. Çdo gjë është me sistem. Kush aplikon, kalon gjurmë në sistem dhe do të kontrollohet. Por ne kemi vetëm një gjë: ne i duam paratë, por i duam pa letra. Të shkosh në Bashkimin Europian pa letra nuk është e mundur. Të duhet tapia, AMTP-ja dhe kontrata”, u shpreh ai.
Për blegtorinë, ai bëri të ditur se ky sektor ka përfituar rreth 60–70% të fondeve të skemave kombëtare gjatë tre viteve të fundit. Mbështetja do të vijojë përmes subvencioneve për krerë, fermerët e rinj dhe investimet në stane.
“Sektori i blegtorisë është një nga sektorët më të mbështetur nga skemat kombëtare çdo vit. Pothuajse 60–70% të buxhetit këto tre vitet e fundit e ka marrë blegtoria. Mbështetja për krerë, për fermerët e rinj dhe për ngritjen e staneve janë të gjitha në favor të blegtorisë. Ne jemi duke përgatitur ligjin për siguracionet në bujqësi. Jemi pothuajse në hartimin përfundimtar të draftit të këtij ligji. Objektivi ynë për vitin 2027 është ta mbyllim këtë ligj dhe ndoshta të fillojmë ta pilotojmë si projekt në disa kultura apo rajone, për ta shtrirë më pas në gjithë Shqipërinë”, tha Jaupllari.
Sa i përket fondeve IPARD, zëvendësministri deklaroi se procesi i akreditimit të institucioneve është drejt përfundimit, por theksoi se hapja e fondeve varet nga plotësimi i kërkesave dhe garantimi i transparencës në administrimin e tyre.
“Fondet e Bashkimit Europian, të IPARD-it, janë në procesin e akreditimit. Janë bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Çështja është që këto para të shkojnë drejtpërdrejt te fermeri dhe të ketë sistem kontrolli, ku çdo gjë të jetë transparente. Fermerët duhet t’i qasen skemës, të ndjekin strukturat tona në terren dhe pushtetin vendor. Ne jemi të hapur për çdo ankesë dhe kërkesë”, tha ai.










