Nga Mero Baze
Takimi i një grupi studentësh me Edi Ramën shpërtheu një valë të re linçimi ndaj tyre nga grupet e tjera studentore të angazhuara në politikë. Një lukuni linçuesish kërkuan fotot e tyre, emrat, ku kishin qenë më parë, çfarë kanë bërë, kë kanë të dashur etj., për të arritur në përfundimin e “madh” se ata nuk janë tanët, janë të Ramës.
Krimi që kanë bërë është se kanë shkuar të takohen me Edi Ramën, t’i thonë problemet që kanë dhe të marrin disa premtime prej tij.
Natyrisht, kërkesat e tyre nuk janë kërkesat e gjithë grupeve politike të studentëve. Ato kanë pretendime të ndryshme.
Për shembull, grupi i studentëve të Berishës në protesta ka kërkesë kryesore të pranohet Berisha në protesta. Nuk kanë as probleme me shkollën, as me taksën e universitetit, as me lëndët, por me hallin që disa grupe të tjera studentësh nuk pranojnë Berishën në protestë dhe thonë: “Rama në burg, Berisha në burg.” Këta nuk kanë si të pajtohen me studentët që takuan Ramën.
Pastaj një grup tjetër studentësh, të prirë nga studentë veteranë si Sazan Guri, Kristo Goxhaj etj., kanë krijuar një Këshill Kombëtar Studentësh, me shpresë që të jenë mbi studentët e Ramës dhe Berishës, por kanë moshë mesatare të lartë, mbi moshën e Edi Ramës.
Por edhe ata nuk i pranojnë këta studentët e Ramës.
Pastaj vijnë ata studentët e përjetshëm të Arlind Qorit, disa vajza që kanë nisur shkollën kur ka ardhur Edi Rama në pushtet dhe s’kanë ndërmend ta mbarojnë pa ikur ai nga pushteti, që linçojnë njerëz rrugëve në emër të studentëve dhe ata pretendojnë po ashtu që ata studentët që shkuan tek Edi Rama duhen vrarë si trockistë.
Kemi pastaj edhe rreth 70 mijë studentë të tjerë që vazhdojnë shkollën, janë të rregullt në paraqitje në shkollë, përpiqen të bëjnë ndonjë punë të dytë, të mbajnë veten në Tiranë, dhe ndonjë edhe që të marrë nota të mira, pasi ka ëndrra për jetën.
Por këta nuk quhen, se nuk janë as me Ramën, as me Berishën, as me Arlindin, as me ata të tjerët.
Por mbi të gjithë këta qëndrojnë ata 200 vetë që dalin çdo ditë në rrugë, shumica e të cilëve janë, siç shihet edhe nga statistikat policore, njerëz që s’kanë prekur kurrë libër me dorë, kryesisht njerëz të fortë, të rekrutuar për dhunë nga grupe tifozësh, grupe besimtarësh nga xhamitë e Shkupit e Tiranës dhe Albinit, dhe ndonjë nga PD-ja.
Këta janë ata që quhen zemra e protestës studentore.
Tani, para se të flisni për studentë, mendohuni mirë. Nuk ka gjë më të vështirë sesa të kuptosh sot në Tiranë se ç’do të thotë student, para se të kuptosh student i kujt kryetari është dhe jo i kujt universiteti.
Mbi të gjitha, mendohu mirë, pasi shumica e atyre që u themi heronj të studentëve janë ose gangsterë të dhunshëm nga grupet e tifozëve, ose nga grupet e xhamive, ose nga selia e PD-së. Me këta e pëson edhe më keq po nuk i quajte studentë.
Por që të jeni të qetë fare dhe mos të ngatërroheni kurrë, përfytyroni dikë që nuk ka zënë libër me dorë dhe quajeni student i protestave.
Këta do të jenë më të suksesshmit në jetë.
