Policia Rrugore e Korçës ka vijuar monitorimin intensiv në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur pajisje inteligjente me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara gjatë një jave, autoritetet kanë konstatuar një sërë shkeljesh dhe kanë ndërmarrë masa ligjore ndaj shkelësve.
Gjatë kësaj periudhe, shërbimet e qarkullimit rrugor kanë bërë të mundur arrestimin e 5 shtetasve, ku “4 shtetas janë kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dhe 1 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
“Në kuadër të masave administrative për parandalimin e ngjarjeve rrugore, Policia Rrugore bën me dije se “janë vendosur gjithsej 1149 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor”. Mes shkeljeve më të shpeshta të evidentuara spikasin:
271 masa për ndalim të gabuar të mjetit;
229 masa për parakalime të gabuara;
59 masa për mosrespektim të këmbësorëve në vijat e bardha;
58 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
19 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit;
17 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
7 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;
7 masa për xhama të errësuar;
482 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, bën me dije Policia.
Në përfundim të njoftimit, Policia Rrugore e Korçës thekson se “kontrollet do të vijojnë duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore”. Njëkohësisht, ajo u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.
